Guterres: E vështirë të jesh optimist për përfundimin e luftës në Ukrainë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Manilë, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres deklaroi sot se “është e vështirë të jesh optimist” për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte.

Pas takimit me liderët e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Manila, Guterres vuri në dukje vuajtjet e shkaktuara nga konfliktet në mbarë botën.

“Në mbarë botën shohim konflikte që po shkaktojnë vuajtje të mëdha njerëzore, nga Gaza, Jemeni dhe kriza më e gjerë në Lindjen e Mesme, deri te Ukraina, Sudani dhe vende të tjera”, tha ai.

Duke folur për mundësitë e përfundimit të luftës në Ukrainë, Guterres u shpreh: “Për të qenë i sinqertë, është e vështirë të jesh optimist kur përballesh me një situatë që tashmë ka zgjatur prej gati pesë vitesh. Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se objektivi ynë është një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte”.

“Armëpushimi duhet të hapë rrugën për një proces paqeje që garanton respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Kjo është paqja e drejtë për të cilën po luftojmë”, theksoi ai.

Zyrtarë rusë dhe ukrainas zhvilluan javën e kaluar në Abu Dabi bisedimet e para të paqes pas tetë muajsh, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nga takimi nuk u njoftua asnjë përparim i rëndësishëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër