KQZ: Besojmë se brenda dy ditësh do të përmbyllet rinumërimi i 185 vendvotimeve

Nga D. V.
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të përgatis një raport të veçantë pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, raporton Ekonomia Online.

Ky raport do të evidentojë gjetjet nga rinumërimi, përfshirë dallimet e rezultateve mes numërimit dhe rinumërimit të këtyre vendvotimeve.

Kështu ka deklaruar në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ku është duke u zhvilluar rinumërimi, pasi është pyetur nëse rinumërimi do të mund të vonojë shpalljen e rezultateve përfundimtare.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm teknikisht që të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, por sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit e zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në versionin më të mirë, nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare, por nëse do të ketë, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse e obligojnë ndonjë gjë KQZ-në dhe pastaj të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Natyrisht se para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ do të shqyrtojë gjetjet që do të dalin nga procesi i rinumërimit. Kjo do të thotë se pas përfundimit  të procesit të rinumërimit, do të përgatitet një raport i detajuar mbi gjetjet e evidentuara. Raporti do t’u paraqitet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim dhe vendimmarrje. Varësisht nga gjetjet dhe rekomandimet e përfshira në raport, KQZ do të vendosë për hapat e mëtejmë”, tha Elezi.

Ai po ashtu tregoi se procesi i rinumërimit të 185 vendvotimeve pritet të përmbyllet brenda dy ditësh.

“Sipas dinamikës e cila po zhvillohet këtu në QNR besojmë që brenda dy ditësh do të përmbyllet rinumërimi i të gjitha këtyre vendvotimeve”, ka thënë ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër