Kryeministri britanik Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it në vitin 2016

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Londër, 12 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham, ka deklaruar se Rusia ka ndërhyrë në referendumin e Brexit-it të vitit 2016, duke paralajmëruar se dezinformimi rus po ndikon gjithashtu në debatet politike në Francë dhe Gjermani, raporton Anadolu.
Duke folur në podkastin “The Rest is Politics”, në një episod të publikuar të dielën, Burnham tha se kishte pyetur për ndërhyrjen e mundshme ruse pasi mbërriti në “Downing Street”.
“Kam marrë përgjigjen e qartë se po, ka pasur ndërhyrje”, tha ai.
Burnham deklaroi se Britania nuk ka bërë mjaftueshëm për ta informuar publikun rreth përpjekjeve të huaja për të ndikuar në proceset demokratike.
“Mendoj se, në fakt, kemi qenë shumë prapa në këtë drejtim dhe nuk i kemi informuar njerëzit mjaftueshëm për shkallën në të cilën po bëhen përpjekje nga jashtë për të ndikuar në procesin politik”, tha ai.
Megjithatë, Burnham nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me natyrën apo shkallën e aktiviteteve ruse gjatë fushatës së referendumit.
Duke folur për BBC-në, ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme të Britanisë, Stephen Doughty, refuzoi të jepte prova specifike për ndërhyrjen ruse në votimin e vitit 2016, duke thënë se nuk do të “hynte në detaje”.
“Rusia është përpjekur vazhdimisht të ndërhyjë në një numër procesesh tona demokratike”, deklaroi Doughty.
Ai akuzoi Moskën se është përfshirë në luftën informative dhe se gjatë atij viti ka shpenzuar 1.5 miliardë paund (1.9 miliardë dollarë) për dezinformim dhe propagandë.
Në një intervistë të veçantë për “Sky News”, Doughty tha se përpjekjet ruse për të ndërhyrë në referendumin e Brexit-it nuk kishin qenë të suksesshme.
Doughty hodhi poshtë sugjerimet se Burnham po e ngrinte këtë çështje për të çuar përpara kauzën e ribashkimit me Bashkimin Evropian. Sipas tij, kryetari i bashkisë po e trajton më gjerësisht çështjen e përpjekjeve ruse për të destabilizuar demokracinë britanike.
Ndërhyrja ruse në Gjermani dhe Francë
Burnham tha se kishte diskutuar për ndërhyrjen ruse me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, gjatë një vizite të fundit në Gjermani.
“Sigurisht që ka dezinformim, dezinformim që po përhapet nga Rusia në politikën gjermane”, tha ai.
Burnham theksoi se votuesit në Gjermani dhe Francë duhet të jenë të vetëdijshëm për përpjekjet e huaja për të ndikuar në debatet politike.
“Këto gjëra janë të rëndësishme tani për t’u deklaruar qartë”, tha ai.
Ai shtoi se informimi i publikut mund t’i ndihmojë votuesit të kuptojnë se një pjesë e tensioneve politike nxitet nga aktorë armiqësorë, veçanërisht nga Rusia.
“Kemi pasur një dekadë ndarjeje dhe përçarjeje, e cila ka shkaktuar më shumë dëm sesa dobi. Sipas mendimit tim, jemi një vend më i përçarë sesa ishim më parë. Kemi një vend me drejtim më të dobët. Dhe këto janë të gjitha çështje që po përpiqem t’i trajtoj si kryetar bashkie”, tha Burnham.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me Gjermaninë në përballjen me ndërhyrjet e huaja.
“Një gjë që i thashë kancelarit Merz dje është se ne duhet t’ju mbështesim në përballjen me kërcënimet me të cilat përballeni, veçanërisht me këtë lloj politike me të cilën po përballeni. Ai më tha se Alternativa për Gjermaninë (AfD) është qartësisht e lidhur me Rusinë, edhe financiarisht, besoj”, shtoi kryetari i bashkisë së Mançesterit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër