Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, në agjendë caktimi i seancës së radhës

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 30 tetor Zhurnal.mk – Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, në sallën C-301.

Sipas agjendës së publikuar, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës të seancës plenare të radhës.

Në mesin e pikave të propozuara janë tri projektligje që pritet të shqyrtohen në lexim të parë: Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, ai për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Po ashtu, në agjendë është përfshirë shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.

Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet e grupeve parlamentare të LVV-së dhe PDK-së për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetëve në këto komisione.

Në rend dite janë edhe deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.

artikuj të ndërlidhura