Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Për herë të parë, një universitet shqiptar renditet në Times Higher Education World University Rankings, një nga klasifikimet më të njohura globale të universiteteve.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro shprehu mirënjohjen për pedagogët, studiuesit, studentët dhe gjithë komunitetin e Universitetit të Tiranës për punën në forcimin e cilësisë akademike, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.
Kumbaro tha se “6 universitete të tjera shqiptare mbajnë statusin “Reporter” në këtë klasifikim, një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së tyre në renditjet ndërkombëtare”.
“Ky rezultat është një arsye për të vlerësuar punën e bërë, por edhe një nxitje që cilësia, kërkimi shkencor dhe ndërkombëtarizimi të vijojnë të forcohen në çdo universitet shqiptar”, tha Kumbaro.
