​Kurti nga Prekazi: Familjes Jashari ia kemi borxh të përjetshëm ta ruajmë dhe mbrojmë vendin

Nga D. V.
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Në ditën e dytë të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti i shoqëruar nga kabineti qeveritar dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, vend të cilin Kurti e quajti kryeqendra e kryengritjes shqiptare.

Kurti pas homazheve tha se “familjes Jashari ia kemi borxh të përjetshëm dhe të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm për ruajtën dhe mbrojtjen e vendit”, raporton KosovaPress.

“T’ia përkujtojmë vetës sonë çmimin e lartë që është paguar për shtetin e pavarur dhe sovran për çlirim e Kosovës për lirinë e popullit dhe të qytetarëve. Nga baba Shaban e nëna Zahide e deri te Blerina e vogël tre breza të Jasharajve për 3 ditë rresht ndodheshin në rrethim të shumëfishët dhe të hekurt të Serbisë pushtuese dhe okupatore e cila me mijëra forca policore e ushtarake me makineri të rëndë shkrepi me mijëra e mijëra plumba mbi këtë familje që është simbol i kombit tonë sot. Tre breza të Jasharëve gjatë atyre 3 ditëve u flijuan për çlirimin e vendit për lirinë e popullit për Republikën dhe për bashkimin tonë. Familjes Jashari ne ia kemi borxh të përjetshëm dhe të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm që ta ruajmë dhe mbrojmë shtetin dhe të drejetat e liritë e qytetarëve pa dallim”, tha ai.

Kryeministri, Kurti deklaroi se Kosova ka ushtrinë e saj që është amanet i kryekomandantit legjendar, Adem Jashari.

“Sot Kosova ka ushtrinë e saj që është amanet i kryekomandantit legjendar Adem Jashari i cili bashkë me vëllain e tij Hamzën para se të binin heroikisht në luftë të pabarabartë me forcat armike për 7 vite kodrave dhe maleve të Drenicës, Kosovës Shqipërisë qëndruan, vepruan e organizuan ilegalisht atë që më pastaj bëhet kryengritje gjithë popullore bartëse e të cilës ishte Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër