Prishtinë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë koment për deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se për këtë çështje ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, duke shtuar se është vonë me agjendë.
“Ka dhënë deklarimet ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më duhet të shkoj për 20 minuta”, tha Kurti, kur u pyet për deklaratën e Daçiqit.
Daçiq, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, më 7 tetor, gjatë një tubimi zgjedhor në Rashkë, deklaroi se flamuri serb do të valëvitet “herët a vonë” mbi Prizren. Ai tha gjithashtu se partia e tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe pretendoi se, nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, edhe 20 shtete të tjera do ta tërheqin njohjen e Kosovës.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili e ka cilësuar atë si dëshmi të ambicieve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
Në reagimin e publikuar më 10 tetor në platformën “X”, Konjufca ka thënë se retorika e Daçiqit tregon se ambiciet territoriale të Beogradit nuk i përkasin vetëm së kaluarës.
Ai ka ndërlidhur deklaratën e Daçiqit edhe me paraqitjen publike të Milan Radoiçiqit në një tubim të Partisë Progresive Serbe në Kragujevc, ku ishte i pranishëm edhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Konjufcës, këto zhvillime nuk janë provokime të izoluara, por tregojnë vazhdimësinë e një politike që, sipas tij, shfaq ekspansionizëm territorial në retorikë dhe pandëshkueshmëri për agresionin e armatosur në praktikë.
Konjufca i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, duke theksuar se sovraniteti i Kosovës nuk është i negociueshëm.
