Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmet që po bëhen ndaj institucioneve në veri, derisa ka thënë se këto sulme kanë për qëllim vetëm të mbjellin frikë.
Kryeministri Kurti para mediave ka pohuar se këto sulme janë shprehje e pafuqisë së disa keqbërësve, transmeton Telegrafi.
Në një reagim të bërë në Facebook, ai ka shkruar se mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit.
“Dënoj fuqishëm sulmin kriminal e qyqar ndaj objektit të Komunës së Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim. Sulmet e tilla nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqënien për të gjithë qytetarët tanë.
Republika nuk zmbrapset!
Ndryshe, të enjten pak para mesnate është sulmuar objekti i komunës së Zveçanit. Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa është dëmtuar hyrja e objektit të komunës dhe disa vetura.
Sulme me granata dore ndaj institucioneve të Kosovës ka pasur edhe para disa ditësh.
