Kush është Yassir Zabiri, sulmuesi që po shënon sa Mbappe dhe Lamine Yamal dhe po mahnitë La Ligën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Yassir Zabiri po tërheq vëmendjen në futbollin spanjoll me paraqitjet e tij për Racing Santander. Sulmuesi maroken ka realizuar shtatë gola në tetë ndeshjet e para të kampionatit.

Kjo e renditë në të njëjtin nivel me Kylian Mbappen, Lamine Yamalin dhe Camellon në listën e golashënuesve, sipas mediumit spanjoll “Marca”.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Zabiri është në të njëjtin nivel futbollistik me yjet e Real Madridit dhe Barcelonës. Krahasimi ka të bëjë me numrin e golave të shënuar në kampionat, një statistikë që e ka vendosur të riun maroken në qendër të vëmendjes.

Nga akademia marokene te futbolli evropian

Zabiri, emri i plotë i të cilit është Mohamed Yassir Zabiri, ka lindur më 23 shkurt 2005 në Marrakesh të Marokut. Ai luan në pozitën e sulmuesit dhe është formuar në Akademinë e Futbollit Mohammed VI, një prej qendrave të rëndësishme të zhvillimit të talenteve në Marok.

Karrierën profesionale e nisi te Union Touarga në vendlindje, përpara se të transferohej në Portugali, ku u aktivizua me Famalicaon.

Në shkurt të vitit 2026, ai iu bashkua Rennesit, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2029. Për sezonin 2026/27, sulmuesi maroken është huazuar te Racing Santander, ku po shfrytëzon minutat e aktivizimit për të dëshmuar aftësitë e tij para portës.

Kampion bote me Marokun U20

Zabiri u bë i njohur ndërkombëtarisht gjatë Kupës së Botës U20 në vitin 2025, ku Maroku triumfoi në turneun e zhvilluar në Kili.

Sulmuesi shënoi pesë gola dhe e përfundoi garën si njëri prej golashënuesve më të mirë, ndërsa në finale realizoi dy herë kundër Argjentinës. Për paraqitjet e tij në turne, ai u vlerësua edhe me Topin e Argjendtë, si lojtari i dytë më i mirë i garës.

Paraqitjet e tij në nivelin e të rinjve i hapën rrugën edhe përfaqësueses A të Marokut. Tashmë, me suksesin te Racing Santander, Zabiri synon të konfirmohet edhe në futbollin e klubeve, pas shpërthimit në arenën ndërkombëtare.

Sipas “Marca”-s, forma e tij ka bërë që Racing Santander të shqyrtojë mundësinë e transferimit të përhershëm nga Rennes. Nëse vazhdon me këtë ritëm, Zabiri mund të kthehet në një prej emrave më interesantë të sezonit në Spanjë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër