Kuvendi debaton mbi rebalancin e buxhetit, pushteti e opozita me qëndrime të kundërta

Nga D V
553 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, prezantoi në Kuvend propozim-rishikimin e Buxhetit për vitin 2026. Qëllimi i Qeverisë siç tha Koçoska, është të sigurohen më tepër para për përshpejtimin e investimeve kapitale, mbështetjen e bujqësisë, komunave, mbrojtjes sociale dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore. Sipas ministres, ekonomia pritet të vazhdojë të jetë e qëndrueshme, me rritje të investimeve, pagave dhe punësimeve. Të ardhurat buxhetore parashihen të jenë 379.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet 425,8 miliardë denarë.

“Sigurojmë fonde shtesë për subvencione bujqësore, në komunikacionin hekurudhor, mbështetjen e sportit, standard studentor, për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve përmes mjeteve për shtesa sociale dhe masa për de-institucionalizim. Mjete shtesë për zhvillim rural, infrastrukturë të ujësjellësit, trajtim të ujërave të zeza dhe stacione filtrimi. Më e rëndësishme është rritja e mjeteve në harxhimet kapitale për institucionet me projekte për realizim më intensiv, për projektet e infrastrukturës të komunave”, deklaroi ministrja e financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.

Për opozitën, rishikimi i buxhetit nuk sjellë asnjë ndryshim në ekonomi por thjeshtë legalizon problemet ekzistuese përmes rritjes së deficitit dhe borxhit publik. Qeveria nuk ofron asnjë mbështetje të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik, industrinë dhe sektorin privat tha deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.

“Deficiti rritet nga 39,2 miliardë në 46,2 miliardë denarë. Më 23 korrik, të hyrat buxhetore arritën në 195 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 234,4 miliardë denarë. Diferenca prej 39,4 miliardë denarësh paraqet deficitin buxhetor. Të hyrat tatimore, në vend që të rriten, janë ulur, nga 214,1 miliardë në 213,2 miliardë denarë. Në të njëjtën kohë, të hyrat jotatimore janë rritur nga 29 në 31 miliardë denarë, ndërsa donacionet nga 7,394 në 10,108 miliardë denarë”, kritikoi Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.

Sipas deputetit të ASH-së, Halil Snopçe, diskutimi i rebalancit nuk mund të reduktohet thjeshtë në shifra por duhet të diskutohet për modelin ekonomik. Ky rebalanc nuk siguron reformë strukturore, nuk sjellë masa bindëse, thotë Snopçe.

“Kur komunat me shumicë shqiptare mbeten pa çerdhe, pa rrugë, pa kanalizime dhe pa investime të mjaftueshme kapitale ndërsa projektet shpërndahen në bazë të afërsisë politike, atëherë nuk kemi vetëm planifikim të dobët, kemi pabarazi të institucionalizuar. Është shumë e lehtë të flasësh për miliarda denarë në këtë sallë, por është shumë e vështirë të jesh qytetari i cili çdo muaj duhet të llogaritë se cilën faturë ta paguaj dhe nga cila nevojë e familjes së tij të heq dorë!?”,u shpreh Halil Snopçe, deputet i ASH-së.

Deficiti buxhetor është projektuar në nivel të 46,3 miliard denarëve ose 4,1% nga Prodhimi Bruto Vendor ndërsa zhvillimi ekonomik është projektuar në nivel prej 3,5%. Debati mbi propozim rishikimin e buxhetit zgjatë më së shumti 5 ditë. Qeveria së fundmi ka marrë borxhe nga institucione të ndryshme të shtetit për të mbuluar vrimat buxhetore të shtetit edhe atë nga M-NAV, MEPSO, Lotaria Shtetërore, Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore. Kryeministri Mickoski tha se paratë do të kthehen sërish gjatë muajit gusht.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër