Prishtinë, 17 prill, Zhurnal.mk – Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar të premten propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Propozimi – për të cilin nevojiteshin një shumicë votash prej 2/3 – kaloi me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.
“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.
Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.
Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.
Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundoi më 4 prill.
Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar më herët se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.
Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.
