Kuvendi sot miratoi ndryshime për trotinetet elektrike, rregulla të reja për ndërmarrjet publike dhe armët

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 qershor, Zhurnal.mk – Kuvendi sot miratoi ndryshimet në Ligjin për sigurinë e trafikut rrugor, me të cilat vendosen rregulla më të rrepta për përdorimin e trotinetëve elektrikë dhe mjeteve të tjera të lehta elektrike.

Me ndryshimet, përkufizohet më saktë termi “mjet i lehtë elektrik”, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar për lëvizjen e tyre kufizohet në 20 km/h, në përputhje me rekomandimet evropiane.

Risi është edhe fakti që trotinet elektrik mund të drejtojnë vetëm persona mbi 18 vjeç. Njëkohësisht, ashpërsohen gjobat për shkelësit, ndërsa në raste të caktuara – si drejtimi nga të mitur, tejkalimi i shpejtësisë, transportimi i një personi tjetër apo drejtimi nën ndikimin e alkoolit – do të jetë e mundur edhe konfiskimi i mjetit.

Ndryshime edhe në ligjin për armët dhe municionin

Në kuadër të seancës së 109‑të, deputetët miratuan edhe ndryshimet në Ligjin për kontrollin dhe vulosjen, pra shënimin e armëve të zjarrit dhe municionit, me procedurë të shkurtuar dhe me flamurin evropian.

Ligj i ri për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi shtetërore

U miratua edhe Ligji për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi të shtetit, i cili synon të vendosë menaxhim më efikas, më transparent dhe më të përgjegjshëm të ndërmarrjeve publike.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, sqaroi se sistemi aktual karakterizohet nga zgjidhje të paunifikuara ligjore, koordinim i pamjaftueshëm dhe qasje e kufizuar në informacione, prandaj është e nevojshme një kornizë e re ligjore.

Nga opozita LSDM vlerësuan se me ligjin po përqendrohen kompetenca më të mëdha në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, e cila sipas tyre do të ketë rol qendror në menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore.

Ratifikimi i ndryshimeve të CEFTA‑s

Deputetët ratifikuan edhe ndryshimet e Marrëveshjes së CEFTA‑s, me të cilat lehtësohet tregtia elektronike në rajon.

Pas përfundimit të pikave të rendit të ditës, nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, ndërpreu seancën, ndërsa vazhdimi do të caktohet më vonë.

artikuj të ndërlidhura