Shkup, 23 shkurt – Prokuroria Themelore Publike Shkup, pasi mori njoftimin se i dyshuari i dytë në lëndën për Lotarinë Shtetërore, ku ai dyshohet së bashku me edhe pesë persona të tjerë, është paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes dhe ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me organet kompetente, do të vazhdojë procedurën ndaj tij me qëllim marrjen e një vendimi prokurorial.
Me kërkesë të të dyshuarit të dytë, përmes mbrojtjes së tij, ai gjatë ditës së sotme u dërgua para prokurorit kompetent, ku realizoi shqyrtim të shkresave të lëndës, por për shkak të vëllimit të madh të materialit dëshmues, shqyrtimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pas së cilës të dyshuarit do t’i mundësohet të japë mbrojtjen e tij, njofton Zhurnal.mk
Sa i përket masave për sigurimin e pranisë së të dyshuarit të dytë në rrjedhën e mëtejshme të procedurës, Prokuroria Themelore Publike Shkup propozoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me masë arresti shtëpiak dhe konfiskim të dokumentit të udhëtimit, duke pasur parasysh faktin se në pjesën më të madhe janë siguruar provat gjatë procedurës, se ai është paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes, si dhe se ekzistojnë indikacione se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale. Këto indikacione janë të mbështetura me njoftime nga organet kompetente. Gjithashtu, indiciet për rrezikim të sigurisë vlejnë edhe për anëtarët e familjes së tij.
