Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Kompania gjermane BMZ (BMZ Group), e cila prodhon bateri litium-jon, ka marrë vendim që deri në fund të vitit 2026 të mbyllë plotësisht fabrikën e saj të prodhimit në Maqedoni dhe ta zhvendosë prodhimin në Poloni, shkruan gazeta „Nezavisen“, transmeton Zhurnal.
Ky vendim biznesi prek rreth 100 persona që ishin të punësuar në fabrikën në Shkup, si dhe punësimet e tjera potenciale që ishin paralajmëruar gjatë promovimit të investimit rreth tre vjet më parë.
Për një periudhë relativisht të shkurtër, kjo është kompania e tretë e huaj që largohet nga vendi, pasi më parë këtë e bëri kompania irlandezo-amerikane „Aptiv“ me fabrikën në Zonën Ekonomiks „Bunarxhik“ pranë Shkupit, si dhe kompania amerikane „Dura“, ndërsa të tjera, si gjiganti britanik „Johnson Matthey“, eksportuesi më i madh nga Maqedonia, ka paralajmëruar se do të zvogëlojë numrin e të punësuarve.
Në njoftimin e BMZ-së, të publikuar ditët e fundit në faqen e tyre të internetit, theksohet se kompania do të mbyllë fabrikën e prodhimit në Maqedoninë e Veriut, duke konsoliduar prodhimin evropian, si dhe se prodhimi po zhvendoset në Poloni.
