Editorial / Sa është e turpshme për shtetin tonë që ende ballafaqohemi me probleme për ujë të pijshëm?

Nga R.ZH
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kriza me ujin e pijshëm në qytetin e Gostivarit, e riktheu edhe njëherë në vëmendje një nga problemet kryesore të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse konsiderohemi një prej vendeve me rezerva më të mëdha të ujit në rajon, sërish qytetarët e vendit ende nuk kanë ujë të pijshëm nëpër shtëpitë e tyre, e sidomos gjatë verës. Prandaj është e turpshme, që një vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian, ende të ballafaqohet me probleme për ujë të pijshëm, shkruan “Zhurnal.mk”.

Gostivari – kulmi i çmendurisë me ujin e pijshëm

Institucionet në Gostivar heshtën për pesë ditë, ndërsa qytetarët kërkuan ndihmë mjekësore, vetëm tre ditë para se të zbulohej se uji përmbante fekale, dhe uji nuk ishte i sigurt për t’u pirë. Pompat e instaluara ilegalisht injektuan ujë me baktere koliforme në sistemin e ujit nga 26 qershori deri më 16 korrik. Dy javë më vonë, uji ende nuk ka statusin e sigurt për t’u pirë, dhe çështja e përgjegjësisë mbetet e hapur.

U zbulua se pompat e instaluara injektuan ujë me materiale të mbeturinave në sistemin e furnizimit me ujë në fshatin Vrutok. Për njëzet ditë, qytetarët e Gostivarit pinë, bënë dush dhe gatuanin me atë ujë.

Uji në Gostivar mori statusin teknik më 27 korrik, pas tre ditësh radhazi analizash të përmirësuara, por ndalimi për pirjen dhe përgatitjen e ushqimit mbetet në fuqi.

Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë nuk ndalet dhe është në rritje. Më 26 korrik, u regjistruan edhe 127 ekzaminime të reja, dhe numri i përgjithshëm në dy javë tejkaloi 4,100. Rritja më e madhe është tek fëmijët, ku 50 pacientë u ekzaminuan brenda një dite, dhjetë më shumë se një ditë më parë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Maqedonia e Veriut po përballet me krizë të rëndë të furnizimit me ujë

Përveç Gostivarit, thuajse shumica e vendbanimeve në Maqedoninë e Veriut kanë probleme me ujin e pijshëm, sidomos gjatë verës kur temperaturat kalojnë 40 gradë celsius.

Në Tetovë, mbi 40% e ujit të pijshëm humbet për shkak të tubacioneve të vjetra gati 90-vjeçare, ndërsa në Shkup shkalla e humbjes së ujit kalon 60% për shkak të rrjedhjeve strukturore dhe lidhjeve të shumta ilegale. Situata është e ngjashme edhe në Dibër, e cila ka aplikuar kufizime të rrepta, duke lënë pjesën më të madhe të qytetit pa ujë gjatë orëve të ditës.

Në kryeqytet, kryesisht ka keqpërdorim të ujit, ku konsumi mesatar arrin deri në 700 litra për banor në ditë. Shpeshherë janë zbuluar raste të shumta ku uji i pijshëm përdoret ilegalisht për mbushjen e pishinave private dhe ujitjen e arave.
Mungon infrastruktura e ujit të pijshëm

Shkaqet e thella të krizës me ujin e pijshëm në Maqedoninë e Veriut lidhen me problemet afatgjata të infrastrukturës. Vetëm rreth 15% e territorit të vendit mbulohet nga impiante për pastrimin e ujërave të zeza. Qytetet e mëdha vazhdojnë t’i shkarkojnë ujërat e zeza direkt në lumenj si Vardar, duke rritur rrezikun e ndotjes së burimeve.

Gjithashtu, thatësirat e gjata verore ulin kapacitetin e burimeve natyrore, ndërsa vërshimet e rrepta dëmtojnë rrjetet e vjetra rurale.

Në kryeqytet, problemet shfaqen sapo fillojnë temperaturat e larta. Nëpër lagjet në pika të larta, si Kozle, Vodno, Przhino, Shuto Orizare dhe katet e larta të ndërtesave në shumë lagje humbasin tërësisht presionin e ujit ose mbeten pa ujë për orë të tëra gjatë ditës.

Fshatrat në rrethinën e Sarajit si Gllumova, Shishova dhe fshatrat e Gazi Babës, si Smilkofca, Cresheva, apo fshatrat e komunës së Butelit, si Luboteni kalojnë periudha të gjata pa ujë në verë. Kjo ndodh sepse sistemi i ujit për pije që vjen nga “Rashçja” mbingarkohet nga konsumi i tepër i ujit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kredia hungareze duhej t’i mbyllte njëherë e përgjithmonë këto probleme

Nga kredia totale hungareze, e cila kap vlerën e plotë prej 1 miliard eurosh, qeveria kishte njoftuar se 250 milionë euro janë ndarë ekskluzivisht për projekte kapitale nëpër komunat e vendit. Brenda këtij fondi, pjesa më e madhe e parave ka shkuar pikërisht për infrastrukturën e ujit (ujësjellës dhe kanalizime) dhe rindërtimin e rrugëve lokale.

Komunat kanë fituar miliona euro përmes thirrjeve publike të qeverisë për të zgjidhur problemet me ujin. Një prej tyre është Komuna e Likovës, e cila ka përfituar 3.9 milionë euro për gjashtë projekte kapitale nga kjo kredi. Mes tyre, po investohet për një zgjidhje të përhershme të krizës së ujit të pijshëm në fshattin Hotël, ku projekti i ujësjellësit pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2027.

Në Tetovë dhe rajonin e Pollogut, një pjesë e fondeve është kërkuar për projekte të kolektorëve dhe rrjeteve të ujit, por realizimi ka ecur më ngadalë për shkak të borxheve të larta të vetë komunave.

Në Shkup, janë duke u ndërtuar dy segmente që e lidhin Lubancën dhe Lubotenin me ujin e qytetit.

Por, edhe përkundër faktit se 250 milionë euro nga kredia hungareze ishte dedikuar kryesisht për infrastrukturën lokale, sërish problemi me ujin e pijshëm dhe rrugicat mbetet i pa përmirësuar.

Andaj, qeveria duhet kryesisht të plotësojë kërkesat e qytetarëve për ujë të pijshëm, si e drejtë themelore për jetesë. Është turp, që në këto ditë të nxehta, qytetarët e një shteti që synon të bëhet anëtare e BE-së të mbeten pa ujë të pijshëm. Kjo problematikë duhet të rregullohet pa vonesa, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër