LDK-ja mbledh Kryesinë dhe kryetarët e degëve, Haziri: Jemi pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve

Nga D. V.
1,135 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 qershor, Zhurnal.mk – Lidhja Demokratike e Kosovës është duke mbajtur mbledhje të Kryesisë me kryetarët e degëve për të diskutuar situatën paszgjedhore dhe hapat e mëtejmë politikë, ndërsa nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ka deklaruar se LDK-ja mbetet e përkushtuar të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve, raporton Ekonomia Online.

Mbledhja vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe kërkesave për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Haziri tha se Kolegjiumi i Degëve po trajton situatën paszgjedhore dhe se qëndrimet zyrtare të partisë do të bëhen publike pas përfundimit të takimit.

“Sot e kemi Kolegjiumin e Degëve të LDK-së. Në situatë paszgjedhore është pjesë e punës ku kryetari i LDK-së dhe organet e LDK-së fillojnë me e trajtu situatën paszgjedhore. Kjo është në funksion të proceseve politike në të cilën LDK-ja ka vendosë parimisht të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve. Dhe natyrisht për krejt çështjet, pas përfundimit të takimit del dikush në emër të LDK-së që flet. Gjithçka që do të dalë nga ky takim do të njoftoheni pas takimit”, tha Haziri.

Kryesia e LDK-së ka nisur mbledhjen në orën 15:00 me pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve, ku pritet të diskutohen zhvillimet politike pas zgjedhjeve dhe pozicionimi i partisë në proceset e ardhshme institucionale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër