Shkup, 29 qershor, Zhurnal.mk – Iniciativat qytetare që garojnë si kandidatë të pavarur në proceset zgjedhore kërkojnë ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor, me të cilat do të barazoheshin kushtet e pjesëmarrjes së tyre me ato të partive politike, për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, të barabartë dhe realisht të aksesueshëm njofton INA.
Ata kërkojnë gjithashtu të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes dhe hartimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë ende nuk ka kthyer përgjigje për listën e kërkesave të dorëzuara disa muaj më parë.
Ndër kërkesat kryesore përfshihen: numër i arsyeshëm, proporcional dhe realisht i arritshëm i nënshkrimeve për kandidim; mundësia e mbledhjes së nënshkrimeve në terren, para personave të autorizuar dhe sipas rregullave të qarta; si dhe zgjatja e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve nga 15 në 30 ditë.
Po ashtu, ata kërkojnë që listat e pavarura të jenë qartë të shënuara në fletëvotim, si dhe që kandidati për kryetar komune dhe lista e këshilltarëve të kenë të njëjtin numër rendor kur vijnë nga i njëjti propozues. Ndër propozimet është edhe një short i drejtë dhe transparent për përcaktimin e renditjes në fletëvotim, si dhe mundësia për lista të pjesshme të këshilltarëve, në vend të detyrimit për lista të plota.
Kërkohet gjithashtu qasje e barabartë në media, debate publike, programe informuese, billborde dhe reklamim politik me pagesë, si dhe trajtim i barabartë në financimin shtetëror dhe kompensimin sipas numrit të votave, njësoj si për partitë politike. Në të njëjtën kohë, kërkohet thjeshtim i procedurave të regjistrimit dhe detyrimeve administrative e financiare për iniciativat e pavarura.
“Demokracia nuk duhet të jetë e rezervuar vetëm për partitë politike. Kërkesat tona nuk janë privilegje, por kërkesa për rregulla të barabarta, për pluralizëm politik dhe për një mundësi reale që qytetarët të marrin pjesë në jetën politike pa barriera të tepërta administrative, financiare dhe mediatike”, theksojnë nga nëntë iniciativat e pavarura.
Ata shtojnë se, ndonëse formalisht kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, në praktikë përballen me një sistem të ndërtuar mbi logjikën e partive politike, me pragje të larta nënshkrimesh, afate të shkurtra, procedura të ndërlikuara dhe mungesë të dukshmërisë në media.
Iniciativat kërkojnë që Kodi Zgjedhor të harmonizohet me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, të cilat, sipas tyre, theksojnë se kushtet për kandidim nuk duhet të përbëjnë pengesa të tepruara për pjesëmarrje në zgjedhje.
