Prishtinë, 30 korrik, Zhurnal.mk – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, i thirrur pas kërkesës së delegatëve për shkarkimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
Kuvendi është thirrur pasi është konstatuar se janë përmbushur kriteret statutore, pas dorëzimit të nënshkrimeve nga delegatët që kërkojnë shkarkimin e Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë.
Vetë Abdixhiku, në reagimin e tij pas thirrjes së Kuvendit, kishte konfirmuar se mbledhja mbahet pikërisht për këtë çështje.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim”, kishte deklaruar Abdixhiku.
Ai e kishte cilësuar këtë proces si të panevojshëm dhe përçarës, por kishte theksuar se do t’i nënshtrohet vendimit të delegatëve në përputhje me Statutin e LDK-së.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm pritet të përcaktojë nëse Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.
