Levica: Kemi informacione se një gjykatëse, e cila është teze e dhunuesit Koraboski, ka tentuar të ndikojë mbi provat

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 nëntor, Zhurnal.mk – A do ta zgjerojë Prokuroria hetimin edhe ndaj gjykatëses, tezes së dhunuesit Koraboski, Gordana Bileska, për të cilën dëshmohet se ka tentuar të ndikojë mbi provat, pyesin nga partia Levica.

“Pas rastit të dhunës brutale ndaj Sarës nga Ohri, a po zbulohet edhe një përpjekje tjetër që drejtësia të shndërrohet në një çështje private familjare, në të cilën institucionet do të shërbejnë si servis për ata që disponojnë ndikim, funksione dhe njohje? Ndërsa publiku me tronditje ndjek dëshmitë për dhunën dhe dyshimet për fshehje institucionale, te Levica po arrijnë informacione të reja për rolin e gjykatëses Gordana Bileska në rastin me dhunuesin Koraboski”, thonë nga partia.

Sipas informacioneve që i janë dorëzuar Levicës, Gordana Bileska, gjykatëse në Gjykatën Themelore Civile Shkup dhe ligjëruese në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, është motra e Goce Koraboskit, përkatësisht teze e të akuzuarit Kristijan Koraboski.

“Pikërisht për këtë kërkojmë urgjentisht të përcaktohet nëse pikërisht Bileska është tezja e përmendur në dëshminë tronditëse të nënës së Sarës, në të cilën paraqiten akuza për ndërhyrje në spital me qëllim që të ndikohet mbi provat mjekësore. Për më tepër, sipas informacioneve që arrijnë te Levica, Bileska gjoja ka ndërhyrë për sigurimin e akomodimit të privilegjuar, VIP, për Koraboskin në kapacitetet e paraburgimit në Shutkë. Pyesim nëse me të vërtetë ekziston një përpjekje e tillë? Përkatësisht, a po përdoret autoriteti i funksionit të gjykatësit?”, pyesin nga Levica.

Partia kërkon nga Këshilli Gjyqësor që të mos mbetet vëzhgues i heshtur i dyshimeve serioze që kanë të bëjnë me një bartës të funksionit gjyqësor, por në kuadër të kompetencave të veta ligjore të sigurojë verifikimin e fakteve relevante dhe të veprojë për përgjegjësi gjyqësore.

Njëkohësisht, thonë nga Levica, Prokuroria duhet të përcaktojë nëse kanë ekzistuar përpjekje për ndikim mbi personelin mjekësor dhe dokumentacionin.

“Kërkojmë një hetim që nuk do të ndalet para një titulli gjyqësor, lidhjeje familjare, njohjeje me ndikim dhe lidhjeve me DPMNE-në. Dhe në fund, a do të shqyrtojnë organet kompetente nëse pas ndërhyrjeve ka ekzistuar edhe mbështetje politike? Në një rast në të cilin tashmë është konstatuar afërsia e familjes Koraboski me njerëz nga DPMNE-ja në pushtet, është e nevojshme të përcaktohet ndikimi partiak në të gjithë rastin”, thonë nga Levica.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër