Shkup, 21 nëntor Zhurnal.mk – Shumica parlamentare e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka refuzuar amendamentet e partisë Levica për Propozim-buxhetin e vitit 2027. Propozimet përfshinin financimin e ekipeve të përbashkëta për trajtimin e dhunës në familje, forcimin e kapaciteteve zjarrfikëse dhe shpëtuese, përmirësimin e kushteve në Armatë, kontrollin GPS të automjeteve zyrtare, si dhe themelimin e Akademisë Diplomatike.
Nga Levica bëjnë të ditur se shumica parlamentare ka refuzuar të gjitha këto propozime, përfshirë edhe amendamentet që synonin përmirësimin e shërbimeve diplomatike-konsullore dhe forcimin e bashkëpunimit me diasporën maqedonase dhe komunat.
Një ndër amendamentet kryesore të kësaj partie parashihte ndarjen e 95 milionë denarëve për krijimin e ekipeve të përbashkëta operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe qendrave për punë sociale.
Sipas Le vicës, qëllimi ishte koordinimi i ndërhyrjeve të policisë dhe punonjësve socialë, shkëmbimi i informacioneve dhe sigurimi i mbrojtjes në kohë për viktimat e dhunës në familje.
„Në vend që të forcojë kapacitetet institucionale për luftimin e dhunës në familje, VMRO-DPMNE-ja e refuzoi edhe këtë propozim, përmes të cilit duhej të tejkalohej veprimi i fragmentuar i institucioneve dhe të sigurohej mbrojtje më efikase për viktimat“, deklarojnë nga Levica.
Refuzohen edhe investimet në mbrojtjen kundër zjarreve dhe Armatë
Në mesin e amendamenteve të refuzuara ishin edhe propozimet për forcimin e mbrojtjes kundër zjarreve dhe kapaciteteve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Levica kishte propozuar rritjen e dotacioneve të dedikuara për mbrojtjen nga zjarret, ndarjen e 60 milionë denarëve për blerjen e automjeteve zjarrfikëse për njësitë territoriale të zjarrfikësve në Rajonin Planor Juglindor, si dhe financimin e ndërtimit dhe pajisjes së një pike zjarrfikëse në Butel.
Partia kishte kërkuar gjithashtu mjete për furnizimin me pajisje dhe makineri të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe për riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ekzistuese zjarrfikëse dhe shpëtuese, përfshirë edhe pajisjet e aviacionit.
Sipas Le vicës, servisimi i rregullt dhe gatishmëria teknike e pajisjeve janë parakushte për reagim të shpejtë dhe efikas në situata emergjente.
Me amendamente të tjera, partia kishte kërkuar rreth 813.000 euro për pajisje mjekësore dhe pajisje të tjera joluftarake për Armatën, si dhe 1,6 milionë euro shtesë për rikonstruktimin dhe mirëmbajtjen e objekteve ushtarake.
Këto mjete ishin paraparë për rinovimin e kuzhinave, mensave dhe nyjave sanitare, riparimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të akomodimit, ushqimit dhe punës për pjesëtarët e Armatës.
67 milionë denarë për kontroll GPS të automjeteve zyrtare
Shumica parlamentare ka refuzuar edhe propozimin për vendosjen e një sistemi të detyrueshëm GPS për përcjelljen e automjeteve në pronësi të shtetit.
Për këtë qëllim, Levica kishte kërkuar 67 milionë denarë, me synimin e krijimit të një sistemi qendror digjital që do të mundësonte kontrollin e lëvizjes dhe përdorimit të automjeteve zyrtare, si dhe parandalimin e shfrytëzimit të tyre për qëllime private.
Një tjetër amendament i refuzuar kishte të bënte me themelimin dhe fillimin e funksionimit të institucionit publik „Akademia Diplomatike“. Propozimi përfshinte mjete për themelimin e institucionit, angazhimin e stafit, përgatitjen dhe zbatimin e programeve mësimore, trajnimet profesionale dhe pajisjet e nevojshme.
Refuzohet edhe financimi për diasporën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të komunave
Levica kishte kërkuar rreth 406.500 euro për aktivitete që lidhen me diasporën maqedonase, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe qendrave kulturore jashtë vendit.
Gjithashtu, ishin propozuar rreth 162.600 euro për bashkëpunimin ndërkombëtar të komunave, përmes binjakëzimit, vendosjes së kontakteve me komunat e huaja dhe lidhjes së prodhuesve e ndërmarrjeve lokale me tregje të reja.
Në mesin e propozimeve të refuzuara ishte edhe përmirësimi i shërbimeve diplomatike-konsullore, përmes financimit shtesë për pajisje teknike, përshtatjen e objekteve dhe mbështetjen organizative.
Nga Levica vlerësojnë se refuzimi i amendamenteve dëshmon dallimin ndërmjet zotimeve deklarative të Qeverisë dhe prioriteteve të saj reale buxhetore.
Partia akuzon shumicën qeveritare se po i injoron propozimet e opozitës, pavarësisht përmbajtjes dhe rëndësisë së tyre për qytetarët.
„Në vend që buxhetin ta trajtojë si instrument publik që duhet të pasqyrojë nevojat dhe vullnetin e qytetarëve, shumica qeveritare sillet sikur mjetet publike të jenë pronë e saj private, ndërsa Kuvendin si institucion ku propozimet e opozitës janë të dënuara paraprakisht me refuzim“, thuhet në reagimin e Levicës.

