Lëvizja Një / Besim Hoda: Do të marrim atë që na takon

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 nëntor Zhurnal.mk – Përfaqësuesi i Lëvizjes Një, Besim Hoda, në Alsat ka deklaruar se subjekti politik që përfaqëson nuk po e përshpejton procesin e organizimit për shkak të mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tij, prioritet mbetet ndërtimi i një strukture të qëndrueshme politike, e cila do të jetë e përgatitur për të mbrojtur kauzën për të cilën është themeluar, përcjell Nistori.

I pyetur nëse Lëvizja Një planifikon të regjistrohet dhe të marrë pjesë në zgjedhjet eventuale parlamentare, nëse ato mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, Hoda theksoi se krijimi i kësaj strukture nuk lidhet me kalkulimet zgjedhore.

“Po e them me shumë kompetencë që ne nuk nxitojmë për të arritur diku dhe nuk e kemi bërë këtë për zgjedhje. Ju e dini që ka një vit e ca që unë po paralajmëroj ndërtimin e një strukture, mirëpo duke qenë shumë i vetëdijshëm, unë dhe bashkëpunëtorët e mi, se cila është përgjegjësia që po marrim përsipër”, deklaroi Hoda.

Ai theksoi se organizimi i ri politik nuk synon të përsërisë praktikat e deritanishme, ndërsa gatishmëria për pjesëmarrje në zgjedhje do të varet nga përgatitja dhe konsolidimi i strukturës.

“Ne nuk mund të jemi një pasqyrë e atyre që kanë ndodhur deri tani dhe kjo do të përcaktojë, varësisht, a do të jemi të përgatitur, të gatshëm për ta mbrojtur kauzën për të cilën jemi thirrur”, u shpreh ai.

Sipas Hodës, zgjedhjet nuk duhet ta zhvendosin vëmendjen nga qëllimi afatgjatë i lëvizjes, që, siç tha, është ndërtimi i një të ardhmeje më të sigurt për brezat e ardhshëm dhe jo sigurimi i pozitave politike për individë të caktuar.

“Ne po mundohemi të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë dhe jo një të ardhme më të sigurt për ne”, theksoi Hoda.

Duke komentuar zhvillimet në skenën politike shqiptare, ai kritikoi kalimet e shpeshta nga njëri kamp politik në tjetrin, duke i cilësuar si përpjekje për pozicionime politike.

“Keni parë që ndryshimi i kampeve që po ndodh tani nuk merret vesh. Këtu ka një reaksion reversibil, i thonë, hyrje-dalje mes kampeve”, deklaroi ai.

I pyetur se me cilin kamp politik e identifikon veten Lëvizja Një, Hoda u përgjigj se orientimi i saj është drejt asaj që ai e quajti “kampi shqiptar”, pa shprehur mbështetje të drejtpërdrejtë për ndonjërin prej blloqeve ekzistuese.

“Jo, unë do ta them. Ne e gjejmë veten shumë me kampin shqiptar”, tha Hoda.

Ai kritikoi partitë politike shqiptare, të cilat, sipas tij, e kanë zhvendosur vëmendjen nga qëllimet për të cilat kanë marrë besimin e qytetarëve, duke u përfshirë në përplasje dhe akuza të ndërsjella.

“Me këdo nga strukturat politike që fatkeqësisht kanë harruar qëllimin se pse janë votuar, pse janë zgjedhur dhe kanë nisur një luftë kundër njëra-tjetrës, duke akuzuar për patriotë e tradhtarë”, u shpreh ai.

Hoda akuzoi gjithashtu përfaqësuesit politikë se, pavarësisht përplasjeve publike, gjejnë gjuhë të përbashkët kur bëhet fjalë për interesa personale.

“Dhe sa herë që këto çështje nuk i ndajnë, i bashkojnë për interesa personale”, deklaroi ai.

Në fund, përfaqësuesi i Lëvizjes Një la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me strukturat ekzistuese politike shqiptare, por e kushtëzoi atë me ndërgjegjësimin e tyre për përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

“Kur këta do të ndërgjegjësohen realisht për kauzën për të cilën janë thirrur dhe për të cilën paguhen, dhe për të cilën i ushqejnë edhe fëmijët e tyre me ato para që i marrin ekskluzivisht nga shqiptarët e Maqedonisë, nga taksapaguesit shqiptarë të Maqedonisë, ne do të jemi absolutisht me ta”, përfundoi Hoda.

Promovimi zyrtar i Lëvizjes Një, përfaqësues i së cilës është Besim Hoda, është paralajmëruar të mbahet më 27 nëntor 2026, në Teatrin Shqiptar në Shkup, me fillim nga ora 19:00.

artikuj të ndërlidhura