Shkup, 15 maj, Zhurnal.mk – VLEN në një komunikat për media vlerëson se për herë të parë pas shumë vitesh shteti po vendos interesin e qytetarëve para interesave të industrisë së kumarit, përmes ligjit të ri për lojërat e fatit që, sipas tyre, synon mbrojtjen e familjeve, të rinjve dhe rendit shoqëror.
Nga VLEN thonë se Qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të vendosur më shumë rend, përgjegjësi dhe mbrojtje reale për qytetarët, duke theksuar se ligji i ri nuk është vetëm masë kundër kazinove, por një mekanizëm për mbrojtjen e familjes dhe shoqërisë, përcjell Zhurnal.mk.
Sipas tyre, për vite me radhë kumari ka ndikuar negativisht në ekonomitë familjare, ka rritur varësinë tek të rinjtë dhe është përhapur pranë shkollave dhe lagjeve të banuara.
Në reagim theksohet se përmes këtij ligji synohet mbrojtja e familjeve nga varfërimi dhe borxhet, mbrojtja e të rinjve nga varësia dhe degradimi social, si dhe mbrojtja e shkollave dhe hapësirave edukative nga ndikimi i industrisë së lojërave të fatit.
VLEN nënvizon se një nga masat kryesore është vendosja e distancës minimale prej 500 metrash të objekteve të lojërave të fatit nga shkollat, si dhe ndalimi i reklamimit agresiv të tyre dhe kufizime të tjera ligjore.
“Shoqëria nuk mund të ndërtohet mbi varësi, borxhe dhe humbje shprese. Shoqëria ndërtohet mbi familje të forta, të rinj të mbrojtur dhe institucione që vendosin interesin publik mbi interesat e industrive që dëmtojnë qytetarët”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga koalicioni shtojnë se mbrojtja e familjes dhe rinisë mbetet obligim moral dhe institucional dhe se ky ligj paraqet fillimin e rikthimit të rendit, përgjegjësisë dhe dinjitetit në shoqëri.
