Lirohet nga qelia ish-ministri Ilir Beqaj, GJKKO i cakton “arrest shtëpie”

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 korrik, Zhurnal.mk – Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është liruar sot nga burgu pas dy vitesh në qeli dhe do të vijojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Vendimi u mor nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas shqyrtimit të kërkesës së Beqajt për shuarjen e masës “arrest në burg”, me argumentin se janë tejkaluar afatet e paraburgimit.

Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, tha se “kërkesa ishte për shuarjen e afateve të paraburgimit, meqenëse gjykata më datë 27 korrik mori vendimin për kthimin mbrapsht të akteve të dosjes së prokurorisë, dhe kjo i bashkon afatet e seancës paraprake tek afatet e hetimit paraprak. Për këtë arsye shuhen automatikisht për shkak se ka kaluar një periudhë goxha e gjatë afatet e paraburgimit”.

Yzeiraj tha se “vendimin e sotëm ne nuk do ta apelojmë, por edhe prokuroria nuk do ta apelojë, dhe prokuroria ishte dakord për arrest në shtëpi”.

“Ne kërkuam shuarjen e afateve të paraburgimit dhe në alternativë, që ishte alternativa e fundit, ishte arresti në shtëpi”, shtoi ai.

Beqaj ndodhej në masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen e SASPAC, ndërsa tashmë do të qëndrojë në masën më të lehtë të sigurisë, “arrest në shtëpi”.

artikuj të ndërlidhura