Lokali ishte kthyer në pikë bastesh në Divjakë, në pranga pronari dhe kamarieri

Nga L. M
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Një lokal në Divjakë është zbuluar nga policia si ambient ku dyshohet se zhvilloheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve.

Operacioni i koduar “Game Over” çoi në arrestimin e pronarit të lokalit, shtetasit A. Ç., 52 vjeç, si dhe të kamarierit E. Ç., 35 vjeç.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Zbulohet në një lokal një ambient i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve.

Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një kamarier, i punësuar në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.

Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se shtetasi E. Ç. ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër