Shkup, 21 shtator, Zhurnal.mk – LSDM kërkon që Kuvendi të miratojë propozimin e tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro, pasi shporta minimale sindikale e shtatorit iu afrua 90,000 denarëve për një familje që paguan qira.
Në kumtesë, LSDM i referohet llogaritjes së Lidhjes së Sindikatave, sipas së cilës shporta minimale në një muaj është rritur me rreth 800 denarë, dhe vetëm kostot e ushqimit dhe pijeve arrijnë në rreth 25,000 denarë.
Partia vlerëson se të ardhurat aktuale nuk ndjekin rritjen e kostove të jetesës dhe pretendon se paga mesatare nuk është e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë shportën, ndërsa paga minimale është dukshëm nën shumën e nevojshme për shpenzimet bazë mujore.
Në kumesë, LSDM gjithashtu tregon pozicionin e pensionistëve, studentëve dhe fermerëve. Për pensionistët, vlerëson se rritja lineare prej 1,000 denarësh nuk është një masë e mjaftueshme, ndërsa për studentët deklaron se kostot e qirasë, faturave dhe transportit në qytetet më të mëdha e ngarkojnë gjithashtu buxhetin mujor.
Partia pohon gjithashtu se fermerët po përballen me kosto më të larta për karburant, makineri dhe plehra, ndërsa në të njëjtën kohë përballen me çmime të ulëta blerjeje.
LSDM-ja përmend përsëri masat që propozoi më parë – heqjen e akcizës për karburantet, uljen e TVSH-së për produktet energjetike në 5 përqind dhe rritjen e pagës minimale në 600 euro.
