Shkup, 10 shkurt – Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë njoftoi se sot në orën 09:00 do ta bllokojë hyrjen në Kuvend, me çka do të fillojë bllokada e institucioneve të cilat, siç thonë nga sindikata, e bllokojnë rritjen e pagës minimale. Do të bllokohen rrugët “Dame Gruev” dhe “11 Tetori”, te ndërtesa e Kuvendit.
Nga LSM thonë se me bllokadën do të dërgohet mesazh te deputetët se janë ata që po bllokojnë ligjin për rritjen e pagës minimale më shumë se një vit dhe të cilët nuk duan ta pranojnë nismën e LSM-së për uljen e pagave të zyrtarëve.
“Deputetët ende po bëhen të shurdhër në nismën e LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe pagave tjera për 100 euro, si dhe për nismën e fundit të LSM-së për uljen e pagave të tyre për 80 për qind, përkatësisht ta ulin bazën e llogaritjes së pagës nga paga minimale mesatare dhe t’i ulin koeficientët e kompleksitetit të tyre”, deklaroi mbrëmë kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, shtëpia ligjvënëse sot do të punojë paralelisht me protestën e LSM-së. Ai pret që protesta të kalojë qetë, ndërsa nuk do të ketë sigurim shtesë të ndërtesës.
“Nuk do të ketë sigurim special të Kuvendit. Shefi i kabinetit tim u takua me kryeshefat në MPB, ata kanë protokolle të rregullta të sigurisë. MPB i ndërmerr të gjitha masat e saj. Shpresoj se do të kalojë qetë dhe do të shkojë ashtu siç duhet. Pra, ata që protestojnë, ne do të punojmë”, tha Gashi dje në brifingun me gazetarët.
Ai pret që vetëm hyrjet për automjete të bllokohen, siç njoftuan nga Sindikata.
“Nuk besoj se ndonjë deputet nuk do të vjen në këmbë”, tha ai.
Në pyetjen nëse deputetët janë të gatshëm ta përmbushin kërkesën e punëtorëve për 600 euro pagë minimale dhe për rritje lineare për 6.000 denarë të të gjitha pagave tjera, Gashi tha se secila parti politike do ta mbajë qëndrimin e vet.
Kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti qëndrimin pardje se paga minimale do të rritet në përputhje me ligjin dhe se propozimi që shteti të financojë kontributet e punëdhënësve për një periudhë të caktuar në mënyrë që ata të mund të rrisin pagën minimale është i papranueshëm për Qeverinë.
“Qëndrimi ynë për pagën minimale është i qartë – po, do ta rrisim pagën minimale në përputhje me zgjidhjen ligjore, ndërsa nëse punëdhënësit dhe punëtorët arrijnë marrëveshje midis tyre, ne do ta mbështesim dhe do ta mirëpresim atë. Por atëherë do të duhet ta nivelizojmë këtë marrëveshje, të cilën e kemi tani edhe me këto dy degë, sepse atëherë në llogaritje, në metodologji, përshtatja e pagës minimale do të jetë shumë e madhe, e rritur me një përqindje të caktuar dhe ne nuk i kemi ato para në Buxhet”, tha Mickoski i cili njoftoi se koeficientët për pagat e zyrtarëve do të korrigjohen në përputhje me ligjin, deri në fund të shkurtit.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, sërish, në prag të bllokadave të LSM-së tha se çështja e pagës minimale është e ndjeshme dhe prandaj, siç tha duke qenë i ftuar në televizion “asnjë zgjidhje nuk arrihet nën presion ose zgjidhje politike afatshkurtra”.
“Priten të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) dhe në mars do të ketë nivelizim ligjor të pagave prej 1500 deri në 2000 denarë”, theksoi Durmishi, duke përsëritur gjithashtu se Qeveria do ta mbështesë marrëveshjes mes punëdhënësve dhe sindikatave për pagë më të lartë, por jo edhe t’i mbulojë shpenzimet e punëdhënësve.
Sipas Durmishit, me të punësuarit në sektorin publik është rrumbullaksuar dialogu për pagat, pasi pardje Qeveria arriti marrëveshje me një pjesë të sindikatave përfaqësuese për rritjen e pagave të 11.000 administratorëve, pas marrëveshjes për pagat në shëndetësi, arsim, mbrojtje dhe polici.

