Kapacitetet ushtarake të Iranit “nuk janë reduktuar në zero” nga sulmet amerikane dhe izraelite, paralajmëroi sot Presidenti francez Emmanuel Macron pas takimit online të krerëve të shteteve dhe qeverive të Grupit të Shtatë vendeve më të zhvilluara industrialisht në botë (G7).
Emmanuel Macron i kërkoi Presidentit të SHBA-së Donald Trump të “sqarojë qëllimet e tij përfundimtare dhe ritmin që dëshiron të vendosë për operacionet” në Iran, raportuan mediat franceze.
“Dëme të konsiderueshme tashmë i janë shkaktuar aftësive ushtarake të raketave balistike të Iranit, por Irani vazhdon të sulmojë disa vende në rajon dhe për këtë arsye aftësitë e tij nuk janë reduktuar në zero”, tha presidenti francez.
Macron tha se nuk kishte “asnjë konfirmim as nga shërbimet partnere dhe as nga shërbimet franceze të inteligjencës” në lidhje me përdorimin e minave detare iraniane në Ngushticën e Hormuzit , duke shtuar se vendosja e tyre “do të ishte një zgjedhje e vështirë” për Teheranin.Trump tha të martën se Irani po e ekspozonte veten ndaj “pasojave ushtarake të papara” nëse vendoste mina në Ngushticën e Hormuzit, e cila është de facto nën kontrollin iranian. Shpejt, ushtria amerikane njoftoi se kishte shkatërruar 16 anije iraniane minuese pranë asaj ngushtice.
Bllokada e Ngushticës së Hormuzit, e cila pengon rrjedhën e 20 përqind të prodhimit botëror të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, “në asnjë mënyrë nuk justifikon heqjen e sanksioneve” të vendosura ndaj Rusisë, tha Macron.
“Në përfundimet e këtij takimi të jashtëzakonshëm të G7-ës, konsensusi ishte se nuk duhet ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj Rusisë dhe të vazhdojmë përpjekjet tona për Ukrainën”, tha Macron.
Këtë vit, Franca kryeson G7-ën, e cila përbëhet edhe nga Gjermania, Kanadaja, SHBA-ja, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe.
