Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Rreth 250 fëmijë me aftësi të kufizuara, prej të cilëve pjesa më e madhe janë nxënës të klasës së parë, e filluan vitin e ri shkollor pa mbështetjen e nevojshme nga asistentët arsimorë, akuzoi Jovançe Manaskov nga Komisioni për Arsim i LSDM në konferencën e sotme për shtyp.
Sipas LSDM, mungesa e kësaj mbështetjeje ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te fëmijët dhe prindërit e tyre që në fillim të procesit shkollor.
“Kaosi që Mickoski dhe Janevska e krijuan në arsim vazhdon çdo vit shkollor. Mbi 3.000 nxënës të klasës së parë më pak, 26 shkolla të mbyllura, 433 paralele më pak. Nuk ka segment në arsim ku nuk është kaos. Edhe fëmijët me aftësi të kufizuara mbetën pa mbështetjen e nevojshme nga asistentët arsimorë. Rreth 250 fëmijë, prej të cilëve numri më i madh janë nxënës të klasës së parë, më 1 shtator janë pa asistentët arsimorë që u nevojiten. Për ta dhe për prindërit e tyre, dita e parë e shkollës nuk ishte ditë gëzimi, por ditë frike, zhgënjimi dhe pasigurie”, deklaroi Manaskov.
Nga partia opozitare theksuan se ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tashmë për të tretin vit me radhë lejon që viti shkollor të fillojë pa mbështetje të siguruar me kohë për fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Asistenti arsimor është mbështetje e domosdoshme për fëmijët me aftësi të kufizuara – mbështetje që u mundëson të ndjekin mësimin, të marrin pjesë në procesin shkollor dhe të realizojnë të drejtat e tyre në mënyrë të barabartë me fëmijët e tjerë. Kur kjo mbështetje mungon, pasojat i ndjejnë drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet e tyre. Janevska duhet të përgjigjet pse i la fëmijët me aftësi të kufizuara pa asistentë arsimorë? Shkollat i kanë dorëzuar kërkesat për asistencë arsimore për nxënësit e klasës së parë që më 30 qershor, pas përfundimit të regjistrimeve. Çfarë bëri Ministria e Arsimit me ato kërkesa? Sepse nëse procedura e punësimit zgjat më shumë se 20 ditë, atëherë është e qartë se edhe me fillimin e procedurës tani, një pjesë e këtyre fëmijëve realisht do të merrnin asistent arsimor vetëm pas 20 shtatorit”, theksoi ai.
Manaskov porositi se inkluzioni duhet të jetë realitet në klasat dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga organet kompetente që të mos mbetet asnjë fëmijë pa asistent.
“Ministre, fëmijët nuk janë vetëm numër në tabelë. Ata kanë të drejtë në arsim, të drejtë në mundësi të barabarta dhe të drejtë në mbështetje sipas nevojave të tyre individuale. Inkluzioni nuk duhet të jetë vetëm fjalë në strategji dhe dokumente. Ai duhet të jetë realitet në çdo klasë. E sot realiteti është se fëmijët me aftësi të kufizuara lihen pa mbështetje që në ditën e parë të vitit shkollor. LSDM kërkon urgjentisht të zgjidhet problemi dhe asnjë fëmijë me aftësi të kufizuara të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme arsimore”, përfundoi Manaskov.
