Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Ministrat e energjisë të Maqedonisë, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë do të mbajnë javën e ardhshme samitin e dytë ministror në Serbi. Fokusi do të jetë te hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e energjetikës, përshpejtimin e projekteve infrastrukturore dhe forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve energjetike.
Sipas MInistrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM), takimi është vazhdim i samitit të parë ministror, i mbajtur në Athinë më 15 maj, kur të katër vendet u pajtuan se siguria energjetike, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e sistemeve nuk mund të trajtohen më vetëm si çështje kombëtare, por si prioritete të përbashkëta rajonale.
“Në Athinë u theksua nevoja për ndërlidhje më të mirë ndërkufitare, integrim të tregjeve të energjisë dhe realizim më të shpejtë të infrastrukturës strategjike. Që atëherë, disa nga iniciativat kryesore kanë kaluar nga planet në zbatim konkret. Për Maqedoninë, veçanërisht të rëndësishëm janë dy interkonektorët e gazit – me Greqinë dhe Serbinë. Interkonektori Maqedoni–Greqi është një nga projektet strategjike për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe për sigurimin e qasjes në më shumë burime dhe rrugë furnizimi përmes sis-temit grek, përfshirë edhe infrastrukturën LNG. Projekti ka kapacitet fillestar të planifikuar prej 1,5 miliardë metrash kub në vit, me mundësi rritjeje në përputhje me nevojat e ardhshme të tregut. Punimet për ndërtimin në të dyja anët janë në zhvillim, me synimin që projekti të përfun-dojë në vitin 2027. Njëkohësisht, Maqedonia ka ndërmarrë tashmë një hap konkret drejt ndërlidhjes së re energjetike me Serbinë. Në shtator u nënshkrua kontrata për projektimin dhe ndërtimin e pjesës së interkonektorit në territorin e Maqedonisë, me vlerë prej 29,4 milionë eurosh. Segmenti në territorin e Maqedonisë do të jetë 22,4 kilometra i gjatë, me rrjedhje dydrejtimëshe dhe kapacitet prej 1,4 miliardë metrash kub në vit”, njofton MEMBM.
Sipas Ministrisë, me realizimin e interkonektorit ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, të dyja vendet do të shndërro-hen në një korridor të rëndësishëm tranziti për gazin natyror në rajon. Lidhja e burimeve jugore të furnizimit përmes Greqisë me tregjet e Evropës Qendrore do të mundësojë flukse më të mëdha tranziti, të ardhura të reja nga shfrytëzimi i infrastrukturës, rritje të sigurisë energjetike dhe përfi-time të tjera ekonomike për qytetarët dhe bizneset. Njëkohësisht, pas më shumë se tri dekadash, Maqedonia do ta forcojë rolin e saj jo vetëm si vend konsumator, por edhe si vend përmes të cilit do të kalojë tranziti rajonal energjetik.
Maqedonia dhe Serbia po bëhen pjesë e Korridorit Vertikal të Gazit
Siç kujton MEMBM, një hap veçanërisht i rëndësishëm ndërkohë është edhe zgjerimi i Korridorit Vertikal të Gazit drejt Ballkanit Perëndimor. Në shtator, NOMAGAS dhe “Transportgas Srbija” nënshkruan një memorandum për zgjerimin e iniciativës, duke bërë që Maqedonia dhe Serbia t’i bashkohen rrjetit rajonal që lidh Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Qëllimi është të mundësohen flukse më të mëdha dhe më fleksibile të gazit ndërkufitar, shfrytëzim më i mirë i infrastrukturës ekzistuese dhe hapje e mundësive shtesë për furnizim nga jugu drejt veriut.
Në kuadër të iniciativës, tashmë po punohet për koordinimin teknik dhe komercial, kapacitetet e pikave të interkoneksionit dhe investimet e nevojshme infrastrukturore, informojnë nga MEMBM.
Nga siguria e furnizimit me gaz te modernizimi i rrjeteve elektroenergjetike
“Bashkëpunimi rajonal nuk do të kufizohet vetëm në sektorin e gazit. Në samitin e dytë do të diskutohet edhe për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjendjen dhe gatishmërinë e sistemeve të transmetimit, shkëmbimin e energjisë elektrike, zhvillimin e kapaciteteve për burime të ripërtëritshme dhe magazinimin e energjisë, përfshirë sistemet me bateri dhe hidrocentralet akumuluese me pompim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e rritjes së shpejtë të burimeve të ripërtëritshme në rajon, pasi kapacitetet e reja diellore dhe të erës kërkojnë rrjete më të fuqishme, fleksibilitet më të madh dhe mundësi për magazinimin dhe transmetimin e energjisë së prodhuar atje ku nevojitet”, vlerësojnë nga Ministria.
Njëkohësisht, të katër vendet do të shqyrtojnë edhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve rajonale të energjisë elektrike, si dhe mundësitë për përballimin e përbashkët të rreziqeve dhe sfidave të furnizimit.
“Për Maqedoninë, ky koordinim rajonal është veçanërisht i rëndësishëm, pasi njëkohësisht po realizohen disa projekte strategjike energjetike – nga interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë, përfshirë edhe bashkimin me Korridorin Vertikal të Gazit, deri te modernizimi i rrjetit të transmetimit dhe zhvillimi i sistemeve për magazinimin e energjisë. Qëllimi i bashkëpunimit rajonal është që projektet infrastrukturore të realizohen përmes një koordinimi më të mirë ndërmjet institucioneve dhe operatorëve. Samiti i dytë ministror në Serbi do të jetë një mundësi që prioritetet rajonale të dakorduara në Athinë të konkretizohen edhe më tej përmes përcaktimit të afateve, koordinimit dhe hapave për zbatimin e tyre, në interes të përbashkët për siguri më të madhe energjetike, diversifikim dhe ndërlidhje në Evropën Juglindore”, potencojnë nga MEMBM.
