Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka folur për eksperiencën e tij në krye të kuqezinjve në një intervistë për median italiane “La Gazzetta dello Sport”, ku ka vlerësuar lidhjen e veçantë mes ekipit përfaqësues dhe tifozëve shqiptarë. Tekniku italian është ndalur te rezultatet e arritura në Nations League, rikthimi i entuziazmit te skuadra, cilësitë e lojtarëve dhe objektivi për të siguruar një vend në Kampionatin Europian EURO 2028.
Maran e cilësoi pozitiv bilancin e gjashtë muajve të parë në drejtimin e Shqipërisë, duke theksuar se skuadra arriti të fitonte grupin në Nations League dhe të siguronte ngjitjen nga Liga C në Ligën B. Ai veçoi gjithashtu rikthimin e besimit dhe entuziazmit, si një nga kënaqësitë më të mëdha të kësaj periudhe.
Duke komentuar videon e publikuar pas fitores ndaj Bjellorusisë, trajneri tha se ishte një mënyrë për të ndarë gëzimin me tifozët, edhe pse ndeshja u zhvillua në Budapest, në fushë neutrale dhe pa praninë e tyre.
“Shqipëria është një popull që e dashuron Kombëtaren në mënyrë të jashtëzakonshme”, u shpreh Maran, duke shtuar se në vendin tonë ekipi përfaqësues konsiderohet skuadra e parë për të gjithë dhe se stadiumi në Tiranë mbushet gjithmonë nga tifozët.
Sa i përket objektivit të kualifikimit në EURO 2028, tekniku italian u shpreh optimist për potencialin e skuadrës, duke vlerësuar cilësitë teknike dhe njerëzore të grupit, si dhe punën e Federatës me ekipet kombëtare të moshave.
Në intervistë, Maran foli edhe për disa prej futbollistëve kuqezi. Ai vlerësoi formën e Rey Manajt, cilësitë teknike të Ernest Muçit dhe paraqitjet e Cristian Shpendit, për të cilin tha se do të ketë mundësitë e tij. Trajneri u ndal edhe te Elseid Hysaj, duke shprehur habinë që mbrojtësit nuk i është dhënë besim nga një klub, pavarësisht se vijon të stërvitet me Empolin.
Maran foli gjithashtu për rutinën e tij në Tiranë, marrëdhënien me lojtarët dhe organizimin e FSHF-së, të cilën e cilësoi të strukturuar dhe të organizuar në mënyrë të shkëlqyer.
Intervista e plotë për “La Gazzetta dello Sport”:
Rolando, na lejoni t’ju themi: na keni surprizuar me videon e fundit pas fitores me Bjellorusinë.
Ke të drejtë, edhe sepse zakonisht këto gjëra mbeten brenda dhomës së zhveshjes. Nuk e di kush e ka bërë videon, por ishte diçka pozitive, sepse patëm mundësinë të ndanim me tifozët lumturinë tonë. Po luanim kundër Bjellorusisë, në fushë neutrale, në Budapest dhe pa praninë e tifozëve. Ishte bukur të arrinim të përcillnim krenarinë për këtë sukses te populli shqiptar, i cili e dashuron Kombëtaren në mënyrë të jashtëzakonshme.
A e ndieni këtë marrëdhënie kaq të fortë me tifozët?
Shumë. Në Shqipëri, Kombëtarja është skuadra e parë për të gjithë, njësoj si të ishte një klub. Kur luajmë në shtëpi, në Tiranë, në stadiumin ku Roma fitoi Conference League, nuk ka asnjëherë vende bosh dhe atmosfera është shumë e zjarrtë. Edhe në transfertë na ndjekin gjithmonë shumë tifozë. E ndiejmë përgjegjësinë për t’i dhuruar kënaqësi një populli të tërë.
Pas gjashtë muajsh si trajner i Kombëtares, cili është bilanci juaj i parë?
Pozitiv, sepse fituam grupin në Nations League dhe siguruam ngjitjen nga Liga C në Ligën B. Përveç suksesit, arritëm edhe rekorde: numrin më të lartë të pikëve të regjistruara ndonjëherë, si dhe numrin më të madh të golave të shënuar dhe numrin më të vogël të golave të pësuar.
Cila është kënaqësia më e madhe?
Vetëdija se kemi rikthyer entuziazmin. Shqipëria vinte nga një periudhë negative dhe ne u përpoqëm të ndryshonim mentalitetin dhe të arrinim rezultatet e kërkuara përmes një qasjeje që do të përfshinte jo vetëm lojtarët, por edhe tifozët. Dhe kjo funksionoi.
Objektivi i radhës është pjesëmarrja në Kampionatin Europian. Italia në grupin kualifikues të Shqipërisë: po apo jo?
Nuk di si të përgjigjem, vërtet. Sigurisht që do të ishte një emocion i madh dhe do të kishte një shije të veçantë. Pavarësisht kundërshtarëve, shpresojmë të arrijmë të kualifikohemi. Skuadra është konkurruese, ka cilësi teknike dhe njerëzore, si dhe mundësinë për të planifikuar gradualisht rinovimin e saj. Federata prej kohësh ka ndërtuar një punë shumë të mirë me ekipet kombëtare të moshave.
Si është rutina juaj e re si trajner i Kombëtares?
Jam çdo ditë pranë federatës. Kam një zyrë ku analizoj videot dhe planifikoj punën. Gjithashtu, udhëtoj shumë, sepse më shumë se 90% e lojtarëve të mi luajnë jashtë vendit. Më ka ndodhur të udhëtoj në katër shtete të ndryshme brenda pesë ditësh. Po përpiqemi gjithashtu të kuptojmë nëse ndonjë lojtar me dy pasaporta është i interesuar të bashkohet me ne.
Për shembull, portieri i Cagliarit: a do të luajë Elia Caprile për Shqipërinë?
Elia e ka marrë pasaportën shqiptare për arsye familjare, por ende nuk e ka përfunduar procedurën dhe për këtë arsye nuk kemi folur për këtë çështje. Megjithatë, nëse do të ishte i disponueshëm, sigurisht që do të na bënte punë.
A ju pëlqeu periudha e gjatë e pushimit mes shtatorit dhe tetorit?
Për mua ishte shumë e dobishme. Kalova mjaft kohë në kontakt me lojtarët dhe pata mundësi të çoja përpara punën, duke fituar kohë. Me skuadrën komunikoj kryesisht në italisht, sepse pothuajse të gjithë e kuptojnë. Më pas përdor edhe pak anglisht dhe kam një përkthyes.
Pse zgjodhët skemën me tre mbrojtës?
Sepse më mundësonte të zhvilloja më mirë lojën, si në gjerësi, duke përfshirë në sulm dy lojtarët e krahëve, ashtu edhe në qendër, duke vendosur dy lojtarë pas sulmuesit Manaj. Si trajner i Kombëtares duhet të jesh i vendosur në zgjedhje dhe i qartë e konciz në shpjegime. Idetë dhe konceptet duhet të përcillen shpejt dhe qartë.
Në skuadrën tuaj ka disa lojtarë që kanë luajtur në Itali, por më pak se më parë.
Po, vitet e fundit janë larguar nga Serie A lojtarë si Berisha, Strakosha, Gjimshiti, Asllani dhe Ramadani. Por ka edhe të tjerë dhe, gjithsesi, kampionati italian mbetet një nga modelet që ndiqen më shumë. Manaj është formuar te Interi, ndërsa tani është në kulmin e pjekurisë së tij dhe ka një qasje shumë profesionale. Po shënon shumë gola.
Cristian Shpendi, golashënuesi më i mirë i Serie B me Cesena-n, nuk luan shumë në Kombëtare?
Ndonjëherë ndodh që duhet të lësh jashtë një lojtar që do ta meritonte të kishte hapësirë. Shpendi është i mirë dhe e tregon këtë gjithmonë në stërvitje. Do të ketë mundësitë e tij.
Hysaj është pa kontratë dhe luan vetëm me Kombëtaren. E pabesueshme. Ai stërvitet me Empolin dhe ne vazhdojmë ta monitorojmë. Kur vjen në Kombëtare, duket sikur është një lojtar që aktivizohet rregullisht me klubin e tij. Është në moshën e duhur për të luajtur ende në nivele të larta. Nuk e kuptoj pse nuk i jepet besim.
Si po rritet Ernest Muçi, mesfushori ofensiv që shënoi një gol të mrekullueshëm kundër Finlandës?
Ernesti ka goditje fantastike dhe ka fatin të luajë te Trabzonspor, ku stërvitet me Salah, nga i cili përpiqet të mësojë disa sekrete. Nga pikëpamja teknike, ka shumë cilësi.
Si jetohet në Tiranë?
Shumë mirë. Është një qytet mikpritës dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Unë jetoj vetëm pak hapa larg federatës, e cila është e strukturuar dhe e organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Njerëzit më njohin dhe pasioni i popullit shqiptar është diçka që më jep shumë kënaqësi. Më mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi.

