Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Reshje intensive deri lokalisht shumë intensive priten gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa reshje intensive parashikohen edhe në qarkun Durrës.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), reshje mesatare deri lokalisht intensive priten edhe në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se reshjet, të cilat në shumicën e qarqeve pritet të shoqërohen me shtrëngata, mund të shkaktojnë vërshime të ujit në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje të dherave, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Në kuadër të situatës së parashikuar, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të rrezikuara, si dhe të mos kalojnë në rrugë të përmbytura.
Autoritetet u kërkojnë qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile.
Në rast emergjence, qytetarët duhet të telefonojnë numrat e emergjencës.
