Shkup, 4 tetor Zhurnal.mk – Siguria në rrugët e qytetit është një nga çështjet që prek drejtpërdrejt përditshmërinë e qytetarëve. Por, si ka ndikuar Safe City, sa të sigurt ndihen qytetarët dhe çfarë tregojnë të dhënat e zyrtare?
Qytetarët ankohen se “Qyteti i Sigurt” është më tepër se sa duhet rigoroz dhe dënimet janë të shpeshta.
“Unë personalisht dënim nuk kam marrë. Por kam disa vërejtje, sikur besoj shumica e qytetarëve me shpejtësinë e lejuar. Puna me Safe City është shumë pozitive. Aksidentet sendet kanë rënë prej kur nisi të ekzistojë Safe City.”
“Prej kur e kanë vendosur, as që e kam vërejtur që ka Safe City. Më shumë se 57 nuk e kam ngritur shpejtësinë. Vetëm mos të bëjnë selektim. Të jemi para ligjit të gjithë njësoj. Nëse Safe City vlen për mua, le të vlejë edhe për atë që është në Qeveri. Deri tani dënim unë nuk kam marrë. Nuk ka mangësi në këtë ligj, përkundrazi është shumë i dobishëm mendoj.”
“Punoj taksist. Nuk jemi të kënaqur me Safe City-n, po kemi marr dënime. Gati çdo ditë më vijnë sms-porosi. Mendoj ta ndyshojnë, ta ndalin komplet. Kur po duhet të ecin 50 km në orë, po bëhet shumë kolonë e veturave. Ose ta bëjnë rregullin që të ecim më shpejtë, ose ta ndalin fare. Aksidentet vazhdojnë të bëhen.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Sipas zëdhënësit të MPB-së, Goce Andreevski, sistemi “Qyteti i Sigurt” është një investim i rëndësishëm për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të shtetit tonë.
“Në periudhën 2 shkurt deri më 29 shtator nga ana e sistemit ‘Qyteti i sigurt’ në rajonin e qyteteve dhe korridoret ku janë të vendosura kamerat, janë regjistruar gjithsej 387.756 shkelje. Shkeljet kanë të bëjnë me shpejtësinë jashtë asaj të lejuarës – 375.879, në semafor të kuq 4301 shkelje dhe me leje të skaduar të qarkullimit gjithsej 7.576 shkelje. Numri më i madh nga shkeljet janë regjistruar në akset rrugore përgjatë korridorit 10 – 215.988 shkelje.” – deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Sipas MPB-së, numri i aksidenteve me vendosjen e Safe City-t ka shënuar rënie. Gjobat nga kamerat lëvizin nga 15 deri në 500 euro. MPB paralajmëron zgjerimin e “Qytetit të Sigurt” edhe në qytete tjera.
Ministria e Punëve të Brendshme apelon deri te qytetarët që të respektojnë rregullat dhe ligjet, që të kemi komunikacion dhe rrugë të sigurta.
