Mecinoviq: Të gjitha objektet strategjike t’i ruajë ARM, Levica do të propozojë ligj për infrastrukturë kritike

Nga D. V.
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Deputeti i Levicës, Amar Mecinoviq, sot në Kuvend mbajti konferencë për media, ku paralajmëroi përgatitjen e një Projektligji të ri për infrastrukturën kritike. Me zgjidhjen e propozuar ligjore, Levica kërkon që sigurimin e objekteve strategjike dhe infrastrukturës kritike me rëndësi të lartë kombëtare ta kryejë Ushtria e Republikës së Maqedonisë, në koordinim me institucionet e tjera kompetente.

“E thërrasim këtë konferencë për të paralajmëruar përgatitjen e një Projektligji të ri për infrastrukturën kritike. Ligj me të cilin shteti më në fund do të fillojë të sillet ndaj kapaciteteve të veta strategjike si kapacitete dhe sisteme që janë çështje e sigurisë kombëtare, e jo si formalitet administrativ”, theksoi Mecinoviq.

Duke iu referuar incidenteve të fundit në disa qytete, Mecinoviq vuri në dukje se ato kanë treguar cenueshmërinë serioze të infrastrukturës kritike në vend.

“Ngjarjet e fundit janë alarmante – pas ndotjes së ujit në Gostivar dhe pasi pamë sa i lehtë është qasja në këto sisteme të furnizimit me ujë. Ky është sinjal i qartë se shteti nuk sillet mjaft seriozisht ndaj objekteve të veta strategjike. Flasim për mangësi sistemike që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin, sigurinë dhe besimin e qytetarëve te institucionet”, theksoi ai.

Mecinoviq sqaroi se sistemet e furnizimit me ujë, digat, kapacitetet energjetike, qendrat e komunikimit dhe objektet e tjera strategjike përbëjnë infrastrukturë kritike, mbrojtja e së cilës duhet të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare.

“Ushtria është institucioni i vetëm që disponon me organizimin, disiplinën, kuadrin e trajnuar dhe kapacitetin e nevojshëm për sigurimin e vazhdueshëm të këtyre objekteve në kohë të rreziqeve të shtuara të sigurisë, sulmeve hibride, ndryshimeve klimatike, por edhe degradimit të kushteve të jetesës në Republikën e Maqedonisë”, tha Mecinoviq.

Në fund, ai u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare ta mbështesin zgjidhjen e propozuar ligjore.

“Mendoj se të gjithëve na është e qartë se nuk duhet të kemi frikë kur hapim çezmën e ujit se mos helmohemi. Kjo tregon se në Maqedoni është kaluar çdo alarm i fundit për veprim. Prandaj i ftojmë të gjitha grupet parlamentare ta mbështesin këtë zgjidhje ligjore. Është koha që Maqedonia ta kuptojë infrastrukturën kritike si çështje të sovranitetit kombëtar dhe sigurisë kombëtare”, përfundoi Mecinoviq.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër