Meidani: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së duhet të rrëzohet

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 shtator, Zhurnal.mk – Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se beson se drejtësia ende nuk është vendosur dhe se vendimi duhet të rrëzohet në procedurën e apelit.

Në një reagim publik, Meidani kujtoi vitin 1999, kur Shqipëria hapi kufijtë për refugjatët shqiptarë të Kosovës që iknin nga lufta dhe spastrimi etnik, duke theksuar se kujtesa e asaj periudhe mbetet e gjallë.

“Sot, si Ambasador i Shqipërisë në Shkup, kjo peshë ndihet edhe më trishtueshëm, mes një komuniteti shqiptar që këtë luftë nuk e ka mësuar në libra. Bijtë e tij e kanë luftuar. Familjet e tij kanë sakrifikuar”, shkroi Meidani.

Ai nënvizoi se liria e Kosovës nuk u fal, por u fitua me gjak, sakrificë, me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s.

“Besoj fort në drejtësi dhe besoj se ky aktgjykim duhet të rrëzohet. Sepse historia jonë mbase mund të gjykohet, por kurrë nuk mund të rishkruhet”, theksoi ambasadori shqiptar.

Meidani shprehu gjithashtu mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe familjet e tyre, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar dhe se vendimi është ende në shkallën e parë, ndërsa pritet shqyrtimi në apel.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër