Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar muajin e shenjtë të Ramazanit me mesazhin që ky muaj të shërbejë si një kohë e çmuar për qetësi dhe bashkim.
“Të nderuar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe qytetarë të besimit islam, me rastin e ardhjes së muajit të bekuar të Ramazanit, ju përcjell urimet e mia më të sinqerta juve dhe familjeve tuaja. Le të shërbejë ky muaj i bekuar si një kohë e çmuar për qetësi dhe bashkim mes nesh, duke fuqizuar ndjenjat e dashurisë, mirëkuptimit dhe sakrificës, si dhe ta vlerësojmë këtë periudhë si një moment të thellë reflektimi shpirtëror, vetëdisipline dhe përkushtimi të sinqertë. Uroj që begatia dhe harmonia e këtij muaji t’ju shoqërojnë në çdo hap, të mbushin zemrat dhe vatrat tuaja me mirësi, si dhe që përkushtimi e devotshmëria juaj të kontribuojnë në rritjen e unitetit dhe mirëqenies në shoqërinë tonë. Agjërim të lehtë dhe të pranuar!”, citohet të ketë uruar Jashari.
