Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se pret fitore të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Bërvenicë, duke theksuar se partia hyn në çdo garë zgjedhore me synimin për të fituar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se në raundin e parë VMRO-DPMNE-ja siguroi pothuajse 3.000 vota dhe se synimi në raundin e dytë është tejkalimi i shifrës prej 4.000 votash.
“Qëllimi ynë është të jemi mbi 4.000 vota dhe vlerësojmë se me këtë do të arrijmë fitore në Bërvenicë. VMRO-DPMNE-ja dhe Koalicioni gjithmonë hyjnë në zgjedhje për të fituar”, deklaroi Mickoski.
Ai akuzoi kundërshtarët politikë se gjatë fushatës janë fokusuar në ndarje etnike në vend të programeve konkrete për qytetarët.
“Sollën një retorikë që nuk i ka hije shekullit XXI. Ata mendojnë se në këtë mënyrë mund të fitojnë një komunë më shumë, por pas zgjedhjeve njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë së bashku, maqedonas, shqiptarë dhe të tjerë, të krishterë dhe myslimanë”, tha kryeministri.
Mickoski vlerësoi se partitë që tani mbështesin kandidatin kundërshtar kanë pasur më shumë se dy dekada në dispozicion për të realizuar projekte, por sipas tij nuk kanë lënë rezultate konkrete.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Bërvenicës dhe të gjithë vendit që votën ta bazojnë në projekte dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës, e jo në politika që, sipas tij, i përkasin të kaluarës.
“Nëse duam të ecim përpara, duhet të flasim për më shumë projekte dhe për vlerë të shtuar në jetën e qytetarëve, e jo të kthehemi te politikat e shekullit të kaluar”, theksoi Mickoski.
Në fund, kryeministri shprehu pritjen që dita e zgjedhjeve të kalojë qetësisht dhe pa incidente, duke vlerësuar se kjo do të jetë dëshmi e pjekurisë demokratike të vendit. Ai shtoi se, pavarësisht tensioneve që shihen në rajon dhe në pjesë të Evropës, stabiliteti dhe paqja në vend nuk janë vënë në pikëpyetje.
