Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Më shumë se 4.500 „përdorues të rremë“ të ndihmës minimale të garantuar dhe të sigurisë sociale janë zbuluar gjatë kontrolleve që i kryejnë institucionet kompetente, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas Mickoskit, mes personave për të cilët nga buxheti i shtetit janë paguar mjete ka pasur të vdekur, qytetarë të shpërngulur, si dhe përdorues fiktivë. „Deri në këtë moment kemi më shumë se 4,5 mijë, pra jo 45, jo 450, por 4,5 mijë përdorues të rremë të ndihmës minimale të garantuar dhe të sigurisë sociale“, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se pas analizave dhe kontrolleve të kryera në terren, shuma për pagesë këtë muaj është për rreth 200 milionë denarë më e vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
„Si është e mundur kjo? Është e mundur sepse përdorues kanë qenë, për fat të keq, njerëz të vdekur, njerëz të shpërngulur, njerëz të rremë e kështu me radhë“, tha kryeministri. Sipas vlerësimeve të tij, në nivel vjetor për pagesa të tilla nga buxheti i shtetit janë shpenzuar më shumë se një miliard denarë, ndërsa shuma në disa llogaritje ka arritur edhe deri në 1,5 miliardë denarë.
Mickoski theksoi se kontrollet ende nuk janë përfunduar plotësisht. Siç tha, mbetet të kontrollohet edhe afërsisht një e pesta deri një e gjashta e numrit të përgjithshëm të përdoruesve.
Ai paralajmëroi se kontrollet nuk do të përfundojnë vetëm me ndihmën minimale të garantuar dhe sigurinë sociale, por se do të ketë kontrolle edhe në fusha të tjera, duke përmendur edhe sektorin shëndetësor.
Kryeministri vlerësoi se efekti financiar nga kontrolli i deritanishëm është rreth 25 milionë euro në nivel vjetor.
„Dikush do të thotë: ‘Mirë, po kjo është një kontroll e zakonshme, për çfarë reforme flisni?’ Reformë që është 25 milionë euro“, tha Mickoski.
Sipas tij, nëse përmes kontrolleve dhe masave të ngjashme arrihen kursime edhe në sektorë të tjerë, mjetet e liruara do të mund të drejtohen drejt investimeve kapitale, të cilat më tej do të kontribuonin për krijimin e kushteve më të mira për investime të reja dhe zhvillim ekonomik.
