Ministria e Shëndetësisë apelon: Kontrolloni statusin e vaksinimit – vaksina MMR është mbrojtja më e sigurt kundër fruthit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Në vend janë regjistruar katër raste të konfirmuara laboratorikisht me fruth, njëri prej të cilëve është rast i importuar, në një kohë kur në Kosovë dhe Bullgari janë në zhvillim epidemi të fruthit. Sipas vlerësimit të Institutit të Shëndetit Publik, rreziku për shfaqjen e rasteve të reja është rritur, por për momentin nuk ka përhapje më të gjerë në nivel kombëtar. Të gjithë personat e prekur janë të pavaksinuar, ndërsa dy prej tyre janë foshnja, të cilat për shkak të moshës ende nuk kanë mundur të vaksinohen.
Shërbimet epidemiologjike po identifikojnë dhe monitorojnë të gjitha kontaktet e personave të prekur. Të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private janë pajisur me protokollin për identifikimin e hershëm, triazhimin dhe izolimin e rasteve. Kopshtet dhe shkollat kanë marrë udhëzime për zbatimin e masave parandaluese.

„Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse, por nga ai mund të mbrohemi. Dy doza të vaksinës MMR përbëjnë mbrojtjen më të sigurt. I bëj thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre, ndërsa të rriturit që nuk janë të sigurt nëse janë vaksinuar, të konsultohen me mjekun amë. Në këtë mënyrë mbrojmë edhe foshnjat, të cilat janë ende shumë të vogla për t’u vaksinuar“, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ministria u bën thirrje qytetarëve:
-Të plotësojnë dozat e papërfunduara të vaksinës MMR në pikën më të afërt të vaksinimit;
-Në rast të temperaturës së lartë, kollës, skuqjes së syve dhe shfaqjes së puçrrave në lëkurë, të qëndrojnë në shtëpi dhe fillimisht të kontaktojnë mjekun amë përmes telefonit, në vend që të paraqiten drejtpërdrejt në dhomën e pritjes;
-Nëse kanë qenë në kontakt me një person të prekur nga fruthi, të kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose Qendrën e Shëndetit Publik;
-Të mos i dërgojnë fëmijët e sëmurë në kopsht apo në shkollë.
Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe qendrat e shëndetit publik po e monitorojnë vazhdimisht situatën dhe do ta informojnë publikun për çdo ndryshim të gjendjes epidemiologjike.

artikuj të ndërlidhura