Miteva: Nuk do të ketë selektivitet, do të sanksionohet secili nëse konstatohet përgjegjësi për rastin me ujin në Gostivar

Nga D. V.
1,407 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 korrik, Zhurnal.mk – Dua të informoj opinionin se Qeveria, që nga momenti i parë kur u morën informacionet për gjendjen e furnizimit me ujë në Gostivar, reagoi shpejt, në mënyrë të koordinuar dhe institucionale, me prioritet të vetëm mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimin e furnizimit të sigurt me ujë.

Menjëherë u aktivizuan të gjitha institucionet kompetente, u vendos koordinim i vazhdueshëm midis Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit për Shëndet Publik, Qendrës për Shëndet Publik, Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, si dhe institucioneve të tjera që kanë kompetenca në këtë proces.

Paralelisht me ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e popullsisë, Qeveria vendosi të sigurojë 50.000 litra ujë për qytetarët e Gostivarit, me qëllim që në asnjë moment të mos vihet në dyshim furnizimi dhe nevoja e qytetarëve, sikurse dje ashtu edhe në ditët në vijim do të vazhdojmë me këtë ndihmë.

Në situata të tilla, më e rëndësishmja është që institucionet të veprojnë shpejt, në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale. Pikërisht këtë edhe po e bëjmë, megjithëse shumë nga kompetencat janë nën juridiksionin e vetëqeverisjes lokale. Por, po aq e rëndësishme është edhe të përcaktohen shkaqet për gjendjen e krijuar.

Prandaj, institucionet kompetente janë në terren, po zbatohen kontrolle inspektuese, po merren mostra, po kryhen analiza laboratorike dhe po mblidhet i gjithë dokumentacioni.

Presim zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që çuan në këtë gjendje. Çdo lloj përgjegjësie që do të vërtetohet, institucionale, zyrtare apo individuale, ajo do të sanksionohet në mënyrë adekuate.

Nuk do të ketë selektivitet, as kompromis kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve.

Në këtë fazë, më e rëndësishmja është që opinioni të ketë informacione të sakta, të verifikuara dhe në kohë, pa spekulime.

Për këtë qëllim, sot me ne janë ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik Marija Andonovska dhe drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski, të cilët do të japin informacione më të detajuara rreth informacioneve që disponojnë institucionet qeveritare që nga fillimi e deri më sot.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër