Moska dhe Kievi raund të ri bisedimesh paqeje në Gjenevë

Nga B.M
597 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Moska konfirmoi sot se një raund i ri negociatash për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë do të nisë javën e ardhshme.

”Takimi do të zhvillohet në Gjenevë më 17-18 shkurt dhe do të përfshijë sërish Rusinë, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse TASS.

Peskov njoftoi se Rusia do të ndryshojë përbërjen e ekipit të saj negociator.

Delegacioni këtë herë do të drejtohet nga ish-ministri i Kulturës dhe këshilltari i presidentit, Vladimir Medinsky, i cili mori pjesë në bisedimet direkte me Ukrainën në Stamboll vitin e kaluar, si edhe në negociatat e zhvilluara pak pas nisjes së luftës.

”Nga ana tjetër, Ukraina ka nisur tashmë përgatitjet për takimin”, shkroi në Telegram sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-kryenegociatori, Rustem Umerov.

Ai theksoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përcaktuar përbërjen e delegacionit negociator.

Përveç Umerovit, në ekipin e Kievit bëjnë pjesë, si më parë, shefi i administratës presidenciale Kyrylo Budanov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Yuriy Hnatov, kreu i partisë presidenciale në parlament David Arakhamia, zëvendësministri i Jashtëm Sergiy Kyslytsya si dhe zëvendësshefi i inteligjencës ushtarake, gjenerallejtënant Vadym Skibitskyi.

Moska dhe Kievi negociuan për herë të fundit drejtpërdrejt në Emiratet e Bashkuara Arabe në fillim të shkurtit.

Ashtu si në raundin e parë në janar, Shtetet e Bashkuara ishin të pranishme si ndërmjetëse.

Pas atyre bisedimeve nuk u shpallën rezultate konkrete, por palët i cilësuan takimet si konstruktive.

Bisedimet në Abu Dabi u drejtuan nga pala ruse nga Igor Kostyukov, kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër