Shkup, 10 korrik, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Sektorit për Krim Kompjuterik në bashkëpunim me Sektorin për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, mori pjesë në operacionin ndërkombëtar FIRSTLIGHT 2026 për shtypjen e mashtrimeve online dhe pastrimit të parave, i koordinuar nga Interpoli, i cili u realizua në periudhën nga 15.1. deri më 30.4.2026. Në operacion morën pjesë institucione kompetente nga 97 shtete dhe territore, me qëllim të përbashkët – zbulimin dhe shtypjen e mashtrimeve me modusin e inxhinierisë sociale dhe aktiviteteve të lidhura me pastrimin e parave, njoftoi pasditen Ministria e Punëve të Brendshme.
“Mashtrimet të bazuara në inxhinieri sociale paraqesin formë të kriminalitetit ku kryerësit e keqpërdorin besimin e qytetarëve dhe personave juridikë me qëllim përfitimi të paligjshëm të mjeteve financiare ose informacioneve konfidenciale. Në këtë kategori hyjnë mashtrimet përmes komprometimit të emailit zyrtar (business e-mail compromise), mashtrimet investuese, mashtrimet romantike, mashtrimet me paraqitje të rreme, shantazhi seksual (sextortion) dhe forma të tjera të mashtrimeve online.”, thuhet në komunikatë.
Në kuadër të operacionit, në nivel global janë ndërmarrë aktivitete intensive për shkëmbim të informacionit operativ dhe të inteligjencës, bastisje në lokacione, bllokim dhe ngrirje të llogarive bankare dhe portofolëve virtualë, si dhe përdorim të mekanizmave të Interpolit për ndalimin e shpejtë të transaksioneve të paligjshme financiare.
Në nivel global, operacioni ka rezultuar me:
- 5.811 persona të arrestuar,
- identifikimin e mbi 142.000 viktimave,
- analizën e 152.808 rasteve,
- zgjidhjen e 23.715 rasteve,
- identifikimin e 15.606 personave të dyshuar,
- bllokimin e 31.014 llogarive bankare,
- ndalimin e gati 293 milionë dollarëve amerikanë të fituar në mënyrë të paligjshme,
- publikimin e 99 njoftimeve dhe difuzioneve përmes Interpolit.
“Pjesëmarrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë operacion global edhe një herë e konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit policor ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik, krimit financiar dhe grupeve të organizuara kriminale transnacionale. Ministria do të vazhdojë të bashkëpunojë aktivisht me Interpolin dhe partnerët ndërkombëtarë në zbulimin, parandalimin dhe ndjekjen e kryerësve të mashtrimeve online dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga format gjithnjë e më të sofistikuara të krimit digjital.”, shtohet në komunikatë.
