MTD-ja urdhëron bllokimin e 104 ueb-faqeve për bixhoz të paligjshëm online

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e Transformimit Digjital njofton se Agjencisë për Komunikim Elektronik (AKE) i është dorëzuar një urdhër i ri për bllokimin e 104 ueb-faqeve të tjera, përmes të cilave organizohen në mënyrë të paligjshme lojëra fati onlajn.

“Me këtë, numri i përgjithshëm i faqeve të përfshira në urdhrat e deritanishëm për bllokim arrin në 462. Në këtë mënyrë vazhdojnë aktivitetet për parandalimin e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit përmes internetit dhe për kufizimin e qasjes në platformat që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend. Këto masa synojnë mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën e internetit, përfshirë edhe nga rreziqet që lidhen me ndarjen e të dhënave personale dhe financiare në platformat e paligjshme të lojërave të fatit. Theks i veçantë i kushtohet mbrojtjes së të miturve dhe parandalimit të ekspozimit të tyre ndaj bixhozit onlajn”, njoftoi MTD.

Në përputhje me urdhërin e dorëzuar, theksoi Ministria, AKE-ja është e obliguar që brenda pesë ditëve që nga marrja e tij t’ua përcjellë atë operatorëve të rrjeteve të komunikimeve elektronike. Operatorët duhet të veprojnë menjëherë sipas urdhërit dhe të kufizojnë qasjen në ueb-faqet e përmendura, duke shfaqur njoftimin përkatës për arsyen e bllokimit.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndajnë të dhëna personale dhe financiare në ueb-faqe të paverifikuar.  Njëkohësisht, u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që t’u kushtojnë vëmendje të shtuar aktiviteteve onlajn të fëmijëve dhe të bisedojnë me ta për rreziqet në hapësirën e internetit. Ministria e Transformimit Digjital vazhdon të ndërmarrë masa në kuadër të kompetencave të saj për të luftuar organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit onlajn dhe për të krijuar një hapësirë më të sigurt të interenetit për qytetarët”, njofton MTD.

artikuj të ndërlidhura