Murati nënshkruan marrëveshje huaje prej 60 milionë eurosh me AFD-në për projektin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Nga D V
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar Marrëveshjen e Huasë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), në vlerë prej 60 milionë eurosh, për financimin e projektit “Lojërat e XXI Mesdhetare në Kosovë”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, marrëveshja u nënshkrua nga ministri Murati, ministri i Deleguar për Evropën i Republikës Franceze, Benjamin Haddad, si dhe drejtori i Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor në AFD, Arnaud Dauphin, në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit francez në Kosovë.

“Përmes kësaj marrëveshjeje do të financohet renovimi dhe zgjerimi i Kompleksit të Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës sportive në institucione arsimore në mbarë vendin”, thuhet në komunikatë.

Sipas Ministrisë, nga ky projekt pritet të përfitojnë mbi 40 mijë studentë dhe nxënës, duke krijuar hapësira moderne, të qasshme dhe gjithëpërfshirëse për arsim dhe sport.

“Marrëveshja hap gjithashtu rrugën për një grant shtesë prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, bëhet e ditur në njoftim.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, ministri Murati zhvilloi një takim me përfaqësuesit e AFD-së, ku u diskutua për bashkëpunimin aktual dhe mundësitë për zgjerimin e partneritetit në sektorë prioritarë për zhvillimin e vendit.

“Palët riafirmuan angazhimin e tyre për avancimin e projekteve të përbashkëta dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Kosovës dhe AFD-së”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, Murati shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Francës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për mbështetjen në realizimin e marrëveshjes.

“Ministria e Financave mbetet e përkushtuar në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Francën dhe partnerët ndërkombëtarë, në funksion të investimeve strategjike për qytetarët e vendit”, citohet të ketë thënë ministri Murati.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër