Mustafa: Kosova dëshmoi pjekuri institucionale me Ligjin për Specialen dhe presidenten

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka vlerësuar si një dëshmi të pjekurisë së lartë institucionale miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, si dhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së Kosovës.

Mustafa ka thënë se vendimet e marra në Kuvend, përfshirë miratimin e ndryshimeve në ligj me më shumë se dy të tretat e votave dhe zgjedhjen e presidentes, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm institucional.

“Miratimi nga Parlamenti me votë prej mbi dy të tretave i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale me seli në Hagë dhe zgjedhja e Presidentes së Kosovës , akademike Justina Shiroka Pula, është një pjekuri e lartë institucionale.”, ka thënë ai për IndeksOnline.

Mustafa ka vënë në pah edhe numrin e votave me të cilat është zgjedhur presidentja, duke e cilësuar këtë si një tregues të mbështetjes së gjerë në Kuvend.

“Presidentja ka marrë 81 vota të Kuvendit, aq sa parashihen edhe për ndryshimet dhe miratimin e Kushtetutës. Është një personalitet me vlera të larta profesionale, intekektuale dhe njerëzore; ajo që në këto momente dhe jo vetëm në këto i nevojitet vendit tonë.”, ka theksuar ai.

Vlerësimi i Mustafës vjen në një moment të rëndësishëm institucional për Kosovën, teksa miratimi i ndryshimeve ligjore dhe zgjedhja e presidentes së re shihen prej tij si hapa që dëshmojnë funksionimin dhe pjekurinë e institucioneve të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër