Prishtinë, 13 shtator Zhurnal.mk – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, është shprehur optimiste se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.
E pyetur nëse pret pjesëmarrjen e dy partive opozitare në seancë, Nagavci tha se, duke marrë parasysh rëndësinë e konstituimit të institucioneve, pret që ato të jenë të pranishme dhe të votojnë.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e konstituimit të institucioneve, edhe në radhë të parë të Kuvendit, unë pres që ata të marrin pjesë në seancë edhe me votimin e tyre, që të mundësojnë Kuvendin funksional”, tha Nagavci.
E pyetur nëse, në rast se nënkryetarët votohen sot, pritet që të ketë seancë edhe për formimin e Qeverisë.
Nagavci tha se shpreson që institucionet e vendit të konstituohen sa më shpejt.
“Uroj që sa më shpejt të kemi institucionet e konstituuara, përfshirë edhe Qeverinë me mandat të plotë”, u shpreh ajo.
