NATO përgënjeshtron Rusinë për militarizimin e Ballkanit Perëndimor

Nga Xh M
576 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 31 mars Zhurnal.mk – Teksa Moska pretendon se Aleanca ushtarake perëndimore po militarizon Ballkanin Perëndimor me qëllim përballjen me Rusinë dhe se Perëndimi po minon sigurinë në Bosnjë e Hercegovinë, nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian vijnë mesazhe të kundërta, duke theksuar se prania ndërkombëtare në vend ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit, e jo krijimin e konflikteve.

Megjithatë, nga NATO thonë se po vërejnë trendë shqetësues në Ballkanin Perëndimor, para së gjithash kërcënimet secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, si dhe ngecjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

27 vite nga ngjarja e Pastaselit, pjesë e fushatës serbe të terrorit dhe spastrimit etnik

“Vendet autoritare si Rusia përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, duke shfrytëzuar dobësitë e brendshme në rajon për të përhapur përçarje. Çdo ndërhyrje e jashtme në proceset e brendshme demokratike është e papranueshme. Kjo përfshin hakimin, kërcënimet informative, frikësimin dhe aktivitete të tjera destabilizuese”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar i NATO-s.

Pretendimet për militarizimin dhe destabilizimin e rajonit u paraqitën në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në mars, të mbajtur në Vjenë, ku përfaqësuesja ruse Iulia Zhdanova deklaroi se aktiviteti ushtarak dhe politik i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të shkaktojë shqetësim të thellë.

Tema e takimit ishte zbatimi i Marrëveshjes për Kontrollin e Armëve, e cila buron nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit dhe i referohet Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

Zhdanova tha se aktivitetet e NATO-s e minojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe drejtpërdrejt Nenin 4 për kontrollin e armëve.

Në kundërshtim me pretendimet e Rusisë, Bashkimi Evropian në një deklaratë të përbashkët pas takimit të OSBE-së theksoi se Marrëveshja për kontrollin subrajonal të armëve tashmë prej tre dekadash kontribuon në stabilitetin e rajonit, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë.

Pretendime të pabaza ruse

Delegacioni rus gjatë fjalimit në Vjenë tha se “natyra e përgjithshme krize e situatës së brendshme politike është e përcaktuar nga roli destabilizues i vendeve perëndimore, të cilat ndërhyjnë në punët e Bosnjë e Hercegovinës sovrane, duke nxitur artificialisht tensione ndëretnike”.

Rusia akuzoi vendet perëndimore se duan të shkatërrojnë “sistemin e balancuar” të vendosur në Dejton, si dhe se synojnë ta riformatojnë Bosnjë e Hercegovinën sipas standardeve të tyre, duke shkelur interesat e popujve në këtë shtet.

Zhdanoa për “destabilizimin e situatës” fajësoi po ashtu edhe përfaqësuesin e lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, të cilin Rusia e konsideron jolegjitim, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që as nuk ka qenë e nevojshme.

Përfaqësuesin e lartë e emëron Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është bërë edhe në rastin e përfaqësuesit aktual të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Schmidt.

“Jemi të bindur për domosdoshmërinë e mbylljes urgjente dhe pa kushte të institucionit të protektoratit të huaj në Bosnjë e Hercegovinë”, tha përfaqësuesja ruse, duke fajësuar Perëndimin edhe për ndërprerjen e financimit rus të PIC-it, si dhe për mospjesëmarrjen në punën e këtij institucioni.

Brukseli shpreh keqardhje për anulimin e samitit të Bërdo-Brionit

Për Rusinë edhe forcimi i EUFOR-it është i pabazuar

Në fjalën e saj, Zhdanova tha gjithashtu se Rusia po ndjek me vëmendje përparimin e operacioneve të forcave paqeruajtëse evropiane në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR).

“Paralajmërojmë se është e papranueshme përfshirja e forcave ndërkombëtare në proceset e brendshme politike. Konsiderojmë se rritja e numrit të forcave të BE-së është e pabazuar”, tha ajo gjatë fjalimit.

Në vitet e fundit, numri i pjesëtarëve të EUFOR-it është rritur, kryesisht si masë parandaluese pas rritjes së tensioneve në vend për shkak të miratimit të ligjeve jokushtetuese dhe secesioniste në entitetin e Republikës Sërpska, të cilat më pas u shfuqizuan.

Një zyrtar nga selia e NATO-s, i cili nuk dëshiroi që të përmendej me emër, i tha REL-it se NATO-ja vazhdon të ofrojë mbështetje për EUFOR-in, me qëllim ruajtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës, shkruan REL.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër