Në Kuvend, nxënësit e shkollave të mesme dhe deputetët do të debatojnë për dezinformatat dhe inteligjencën artificiale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Nxënës të shkollave të mesme dhe deputetë sot në Kuvend do të debatojnë për mënyrën se si informohen të rinjtë, ndikimin e rrjeteve sociale dhe influencuesve në mendimet e tyre, si dhe për identifikimin e dezinformatave dhe përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale.

Debati me titull “Çfarë sheh, kujt i beson? – Të rinjtë, informacionet dhe fushatat dezinformuese”, i organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me Kuvendin, përmes Institutit Parlamentar dhe Klubit për Çështje dhe Politika Rinore, është konceptuar si një dialog i drejtpërdrejtë mes nxënësve të shkollave të mesme dhe deputetëve. Qëllimi është të dëgjohen përvojat, shprehitë dhe sfidat me të cilat përballen të rinjtë në hapësirën digjitale.
Në fokus të diskutimit do të jenë roli i rrjeteve sociale, krijuesve të përmbajtjeve dhe influencuesve në formësimin e qëndrimeve të të rinjve, si dhe aftësia e tyre për të identifikuar dezinformatat, mesazhet manipuluese dhe përmbajtjet e gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Gjithashtu, do të diskutohet nëse programet aktuale mësimore u përgjigjen sfidave të reja të informimit dhe cilat politika e zgjidhje arsimore nevojiten për përmirësimin e edukimit mediatik.
Në debat do të marrin pjesë nxënës të shkollave të mesme nga shtatë shkolla të Shkupit, Prilepit, Vallandovës, Velesit dhe Likovës, së bashku me deputetë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të përfshira në këtë ngjarje.
Fjalime përshëndetëse do të mbajnë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe ambasadorja britanike, Maja Sivanjanam.

artikuj të ndërlidhura