Tiranë, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni prezantoi sot një plan të ri transformimi të administratës publike, që synon forcimin e meritokracisë, vlerësimin e performancës dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Gjatë prezantimit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Pirdeni tha se një nga problematikat kryesore mbetet hendeku mes aftësive të punonjësve dhe mënyrës se si sistemi njeh dhe shpërblen kontributin e tyre.
“Sot administrata publike shqiptare përbëhet në pjesën dërrmuese të saj nga profesionistë që përballojnë me shumë sukses përgjegjësi të jashtëzakonshme. Por kemi ende një distancë shqetësuese mes aftësisë sonë brenda administratës shqiptare dhe sistemit se si arrin ta njohë dhe ta shpërblejë atë. Dhe kjo ka një kosto, për punonjësin që nuk sheh t’i njihet kontributi, për një drejtues ekipi që ka përgjegjësinë të kërkojë rezultate, por edhe për qytetarin që pret një shërbim më të mirë”, u shpreh Pirdeni.
Pirdeni iu referua edhe një ankete kombëtare të punonjësve publikë, sipas së cilës 70% e tyre mendojnë se drejtuesit nuk zbatojnë pasojat e performancës, qoftë pozitive apo negative.
Në këtë kuadër, ministrja prezantoi konceptin e “shkallës së meritës”, që do të përfshijë të gjithë ciklin e karrierës në administratë, nga hyrja në sistem, vlerësimi gjatë punës, deri te avancimi dhe drejtimi i institucioneve.
“Duam që merita të mos jetë një cilësi që një punonjës shpreson t’ia njohin, por një standard që sistemi është i detyruar ta njohë. Këtu merr kuptim shkalla e meritës”, deklaroi ajo.
Një nga mekanizmat e rinj do të jetë sistemi kombëtar i testimit, përmes të cilit kandidatët do të mund të testojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre edhe përpara hapjes së një vendi vakant. Kandidatët që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vjet.
Sipas Pirdenit, për këtë qëllim po krijohet edhe sistemi kombëtar i provimeve digjitale, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, duke marrë si referencë modelin e vlerësimit të Kembrixhit.
Ndërkohë, në muajin dhjetor pritet të jetë gati edhe “Porta e hapur”, përmes transformimit të portalit “puna.gov.al”. Nëpërmjet tij, qytetarët do të mund të krijojnë profile profesionale dhe të marrin njoftime për vende pune që përputhen me aftësitë dhe interesat e tyre. Ky mekanizëm do të jetë i hapur edhe për profesionistët shqiptarë në diasporë.
Një tjetër instrument i parashikuar është katalogu kombëtar i pozicioneve dhe kompetencave, i cili synon të përcaktojë më qartë aftësitë dhe kërkesat për çdo profil pune në administratë.
Pirdeni bëri të ditur se brenda këtij viti do të nisë një proces vlerësimi për drejtuesit e nivelit qendror, me synim matjen e aftësive të tyre në menaxhimin e ekipeve dhe zhvillimin e kapaciteteve të punonjësve.
“Një administratë me punonjës të aftë ka nevojë edhe për drejtues që dinë t’i organizojnë, t’i motivojnë dhe mbi të gjitha t’i zhvillojnë ata. Një drejtues nuk përgjigjet vetëm për vendimet e veta, por edhe për krijimin e kushteve në të cilat ekipi i tij ose i saj mund t’ia dalë më mirë”, theksoi ajo.
Pirdeni nënvizoi se reforma do të mbështetet edhe në sistemin e shpërblimit të performancës, paketën e motivimit dhe përmirësimin e kushteve të punës.
