Nis faza vendimtare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, paneli i KPK-së harton pyetjet

Nga D. V.
924 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar përgatitjen e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë.

Paneli, i kryesuar nga Arian Gashi dhe i përbërë nga Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami Kastrati, po e zhvillon këtë proces në prani të monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës dhe besueshmërisë.

Sipas njoftimit, “tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit”.

Intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit pritet të fillojnë në ora 11:00. Në garë janë pesë kandidatë, mes tyre prokurorë nga departamente të ndryshme të Prokurorisë Speciale dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në lidhje me procesin, kryesuesi i Panelit Vlerësues, Arian Gashi, ka theksuar se “procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.”

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të informojë opinionin publik dhe mediat për ecurinë e procesit, duke theksuar përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë, meritokracisë dhe integritetit institucional.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër