5
Shkup, 01 tetor, Zhurnal.mk – Pas muajsh dëgjimi të dëshmitarëve dhe prezantimit të provave nga Prokuroria, në gjykimin për tragjedinë në “Puls” nis faza e provave të propozuara nga mbrojtja e të akuzuarve. Por, fillimi i kësaj faze u shoqërua me reagime të ashpra nga familjarët e viktimave, të cilët thonë se dëshmitë e mbrojtjes nuk mund ta ndryshojnë atë që, sipas tyre, ka ndodhur para dhe gjatë tragjedisë. Prindërit e të rinjve që humbën jetën në zjarr kërkuan që mbrojtja të mos përpiqet ta zhvendosë përgjegjësinë dhe të mos e manipulojë opinionin publik. Aleksandar Naunov, babai i viktimës Nadica Naunova, tha se familjarët presin që mbrojtja të përgjigjet për një sërë çështjesh që, sipas tyre, janë thelbësore për rastin.
“Kush do të dëshmojë se objekti kishte rikategorizim të ligjshëm, parking të vetin dhe i plotësonte kushtet minimale teknike? Kush do të dëshmojë se licenca për sallon qilimash vlente për diskotekë? Dhe kush do ta arsyetojë mosveprimin e komunës dhe institucioneve që e zhytën Koçanin në zi?”, – u shpreh prindi i viktimës, Aleksandar Naunov.
Edhe prokurori Darko Jakimovski reagoi ndaj pretendimeve të mbrojtjes, duke theksuar se të akuzuarit nuk ngarkohen që e kanë shkaktuar drejtpërdrejt zjarrin, por për mosveprime dhe lëshime. Në këtë fazë të procedurës, mbrojtja ka propozuar gjithsej 244 dëshmitarë, të cilët duhet të dëgjohen në vazhdim të gjykimit.
Nga ana e Prokurorisë deri tani janë paraqitur 1.390 prova materiale, ndërsa janë dëgjuar 45 dëshmitarë dhe pesë ekspertë. Në rastin për zjarrin në diskotekën “Puls” janë të akuzuar 34 persona dhe tri kompani. Tragjedia ndodhi më 16 mars 2025, gjatë koncertit të grupit “DNK”. Si pasojë e zjarrit humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 u lënduan.
